Rama, ende pa vendim për Shtyllën

Kryeprokurorja Ina Rama akoma nuk ka marrë një vendim në lidhje me kërkesën e bërë nga prokurori i Gërdecit , për dorëheqjen e tij. Kanë kaluar gati 24 orë që nga momenti që drejtorit të Kontrollit të Hetimeve dhe Ndjekjes Penale, Zamir Shtylla ka dorëzuar në tavolinën e Ina Ramës aktin e dorëheqjes dhe deri në këto momente nuk ka pasur asnjë reagim zyrtarë për këtë çështje. Dorëheqja e prokurorit Zamir Shtylla, u formalizuar pak çaste, pasi publikisht u bë me dije se përmes heshtjes Presidenti i vendit Bamir Topi, i hapi rrugë hyrjes në fuqi të "ligjit të Dosjeve". Sipas burimeve nga prokuroria është mësuar se në letrën e dorëheqjes, prokurori Zamir Shtylla është shprehur se largohet nga detyra e përgjegjësit të grupit hetimor të dosjes "Gërdeci", si dhe nga funksioni i drejtorit të Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale, "për shkak të presioneve të shumta politike të ushtruara publikisht ndaj tij kohët e fundit". Deri më tani kryeprokuroja ka përferuar të heshti në lidhje me dorëheqjen e Shtyllës. Sipas burimeve nga Prokuroria, vendimin për ta pranuar apo jo aktin e dorëheqjes së Zamir Shtyllës nga përgjegjësi i i grupit hetimor të dosjes së Gërdecit, do ta marri vete Ina Rama, por deri më tani nuk ka pasur anjë reagim zyratarë.