Rama: Çështja e presidentit, përcaktuese për statusin

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar sot zgjedhja e presidentit të ri të vendit është përcaktuese që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar, kryesocialisti Rama theksoi se zgjedhja e presidentit të ri duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës në mënyrë që kreu i shtetit të mos jetë një noter politik.
“Dalëngadalë kemi hyrë në periudhën kohore të një procesi politik për zgjedhjen e presidentit. Për ne kjo është një çështje përcaktuese për fatin e statusit kandidat në Bashkimin Europian dhe ne do të derdhin të gjitha enegjitë që të ndërtohet një proces sa më gjithëpërshfirës, që t`i japim vendit një president në frymën e Kushtetutës dhe jo një noter partiak. Është koha të flasim për identikitin e presidentit të ardhshëm. Nga mënyra se si do zgjidhet varet fati i statusit” shtoi Rama.
Kryesocialisti Rama theksoi më tej se është herët të flitet për emra pasi sipas tij është koha për t`u arritur një konsensus më i gjerë për mënyrën se si palët ta trajtojnë këtë çështje. “Kam kërkuar takim me krerët e palëve, që të arrihet një konsensus i gjerë për mënyrën se si palët do të duhet ta trajtojnë këtë proces, është herët të flitet për emra, kjo është faza përgatitore për këtë proces” shtoi ai.
Gjithashtu Rama paraqiti edhe tre kërkesa që presidenti i ri duhet të përmbush. “Shqipërisë i duhet një president që të plotësojë 3 kërkesa. 1. T`i japë një shtysë vendimit për një proces gjithëpërfhsirës duke u zgjedhur përmes një procesi politik dhe jo një proces mekanik dhe të bazuar në numra. 2 Të jetë garant i kushtetutës. 3. Të përbëjë një faktor sigurues për palët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare” shtoi Rama.
Rama theksoi se duhet që brenda afatit të përcaktuar të përfundojë edhe reforma zgjedhore ndërsa u shpreh në mbështetje të heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë të shtetit dhe deputetët. “Të heqin imunitetin për zyrtarët e lartë dhe të depozitojmë në parlament draftin me synimin se kjo çështje nga tribuna politike të shkojë në duart e të zgjedhurve të popullit” shtoi Rama.