Rama fajëson policët e vrarë
Në kulmin e dhimbjes njerëzore për humbjen e jetës së 4 policëve të vrarë në detyrë, ish-kryetari i PS, Edi Rama, që gjendet me pushime jashtë vendit, nuk ka nguruar ta politizojë dhimbjen mbarëpopullore, duke shkelur kodin shqiptar të vdekjes. Në ditën e mortit, në vend që të ngushëllonte familjet dhe shprehte mbështetjen ndaj shtetit për humbjen e punonjësve të tij, ai nuk ka nguruar që të akuzojë edhe vetë viktimat që dhanë jetën në detyrë, ndërkohë që analizat për këtë ngjarje nuk mund të bëhen në ditën e vdekjes. Në mesazhet telefonike drejtuar disa mediave, ai madje i ka damkosur policët e rënë në krye të detyrës. Ata janë konsideruar si vjedhës të votës të një shteti të kalbur që punon për të mbajtur në këmbë familjen kryeministrore që sipas Ramës sundon vendin jashtë vullnetit të lirë të shprehur në zgjedhjet e 28 qershorit.