E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama hap sheshin Skëndërbej me katër punëtorë të bashkisë

Gërmimet rrezikojnë të shembin monumentin e Skenderbeut, punëtorët në dilemë


Gërmimet e shumëpërfolura në sheshin Skënderbej që kanë shërbyer ditët e fundit edhe si një debat i ashpër midis Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Transporteve duket sikur janë braktisur nga vetë punëtorët. Nëse ditët e fillimit të punimeve gëlonte zhurma e mjeteve të forta që do të merreshin me gërmimin e sheshit, e lëvizjet e panumërta të

punëtorëve e personave që do të merreshin me transformimin e tij, shkaktonin rrëmujë, dy ditët e fundit duket sikur gjithçka ka rënë në qetësi. Pikërisht në epiqendrën e kryeqytetit ku takohen i madh e i vogël e nga ku mund të shohësh me lirshmëri një copëz qielli gjigand gërmadhat e dherave të lëna pa kriter e mjetet e forta që me zor lëvizin të japin ndjesinë se tashmë në zemër të qytetit është hapur një plagë që kushedi se kur do mbyllet. Nga turma e punëtorëve të veshur me uniformat tipike të Bashkisë së Tiranës tashmë vetëm ndonjë lëviz në hapësirën e madhe të rrethuar e po ti numërosh me gishta gjithkush do të habitej se vetëm katër punëtorë duken tek-tuk në shesh. Në këtë mënyrë duket sikur vetë punëtorët i kanë braktisur gërmimet për të cilat nuk ka ndonjë supervisor. Këtë e pohojnë edhe vetë punëtorët. Në një vëzhgim të kryer ditën e djeshme nga gazeta SOT vihet re qartë se numri i punëtorëve që kryejnë punimet është reduktuar në masë. Përpos kësaj një tjetër problem shqetësues është edhe fakti se gërmimet nga makineritë e rënda kanë arritur deri në rrëzë të bustit të vendosur në qendër të sheshit në të cilin duket qartë figura e heroit tonë kombëtar. Edhe pse ditët e para zhurma e makinerive ndihej gjer në qiell e lëvizjet e punëtorëve të jepnin përshtypjen se aty vërtet po punohej dy ditët e fundit tashmë vëren reduktimi i personave që merren me punimet është reduktuar në masë. Sipas vetë punëtorëve nëse busti do të vazhdojë të gërryhet nga mjetet e rënda ekziston mundësia që ai të lëkundet dhe për këtë askush nuk i jep siguri. Kemi rreth dy ditë që gërryejmë në rrëzë të bustit dhe nga forca apo heqja e betonit mbajtës ai mund të lëkundet, këtu nuk kemi asnjë specialist që të na udhëzojë se ku duhet të vazhdojmë punimet e ku sduhet gërryer gjithçka po e bëjmë si mendojmë as më shumë e as më pak këto janë fjalët e një prej punëtorëve që merren me punimet e sheshit në qendër të kryeqytetit. Sipas tij në godinat e vendosura nga bashkia janë vetëm një i huaj që merret me syrvejimin e punës dhe përkthyesi i tij.


Gërmim 9 metra për depozitat e ujit
Fadromat që janë duke gërmuar një pjesë të mirë zonës, e cila e rrethuar me tela, shënon kantierin e parë të sheshit "Skënderbej" megjithëse duket sikur kanë rënë në heshtje të plotë do të gërmojnë në zemër të Tiranës rreth 9 metra thellësi ku pretendohet të vendosen edhe rezervat e ujit. Nga sa pohuan punëtorët e kontraktuar nga firma "Mac-Albania aty do të ndërtohen rezervuarët nënujorë. Faza e parë e projektit do të zgjasë 9 muaj. Është parashikuar që të realizohen punimet e infrastrukturës inxhinierike nëntokësore në të gjithë sipërfaqen ku është parashikuar të shtrihet sheshi i ri "Skënderbej". "Do të bëhet ndërtimi i një dhome teknike pranë monumentit aktual të Skënderbeut e cila flitet që do ta bllokojë këtë aks për kalimin e këmbësorëve. E ashtuquajtura dhomë teknike është e projektuar të ndërtohet në një thellësi rreth 9 m nga niveli i sheshit. Në të do të instalohen rezervuarët e ujit teknologjik dhe atij për vaditje si dhe pompat e pajisjet e nevojshme për funksionimin e shatërvanëve të sheshit të ri.
Gjithashtu do të mundësohet ndërtimi i dy galerive të nëndheshme. Ato do të përdoren për instalimin e të gjitha kabllove dhe tubacioneve që parashikohet të përshkojnë sheshin në të dyja drejtimet kryesore veri-jug dhe lindje - perëndim.

Ndërtimet shumëkatëshe që do të bllokojnë frymëmarrjen e Tiranës
Galeria e parë do fillojë të ndërtohet në Bulevardin "Zogu i Parë" pranë "Veve Center", do kalojë përpara Pallatit të Kulturës, përpara ndërtesës së bashkisë dhe do të përfundojë në kryqëzimin e Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" me rrugën " Myslym Shyri". Galeria e dytë do fillojë të ndërtohet në Rrugën e Kavajës përpara ndërtesës së Bankës së Shqipërisë, do përshkojë sheshin e sotëm përpara monumentit të Skënderbeut dhe do përfundojë në kryqëzimin e Rrugës "Luigj Gurakuqi" me Unazën e Vogël. Në të dyja këto nënobjekte do të punohet paralelisht. Është parashikuar gjithashtu edhe ndërtimi i disa kolektoreve për ujërat e zeza dhe të bardha, që do të sistemojnë të gjitha derdhjet e institucioneve që janë të vendosura në periferinë e sheshit "Skënderbej. Sipas ministrisë së transporteve kullat e projektuara që do të ndërtohen do të zënë edhe fushëpamjen e lirë nga universiteti i Tiranës e deri tek hapësira e teatrit kombëtar. Në këtë mënyrë do të bllokohen edhe akset e kalimit të rrugës së trenit, asaj të rrugës së Durrësit dhe bulevardi I kalimit për këmbësorët tek Biblioteka Kombëtare.


Arta AGOLLI

Last Updated on E Merkure, 31 Mars 2010 20:31

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›