Kreu i LSI i apelon Partisë Socialiste të pranojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor

Ilir Meta: “Zgjedhjet ishin demokratike, rruga e presionit mbi Kolegjin nuk zgjidh problemet e palës humbëse”
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u ndal dje në qytetin e Kukësit dhe të Lezhës, pas analizës zgjedhore që u bë para pak ditësh në qytetin e Shkodrës. Pas takimit që pati me simpatizantë, anëtarë dhe drejtues të LSI-së në këto qytete, kreu i kësaj force politike i cilësoi zgjedhjet e 8 majit si më të mirat dhe më të pastrat të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri. Meta theksoi se zgjedhjet e 8 majit treguan nivelin e lartë qytetar dhe evropian të të gjithë qytetarëve të vendit tonë, ndërsa për sa i takon procesit në vazhdim të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kreu i LSI-së, Meta u shpreh se ky është një proces tërësisht normal, demokratik dhe ligjor. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Meta u shpreh se diferenca jashtëzakonisht e ngushtë e votave midis dy kandidatëve për Bashkinë e Tiranës, bëri të domosdoshme shqyrtimin e çdo vote. “Në rast se do të do ishte një diferencë më e madhe për cilindo kandidat natyrisht që nuk do të ishte insistuar për të vlerësuar në mënyrë kaq transparente dhe rigoroze çdo vote. Duke qenë një rezultat i tillë, i cili për herë të parë ndodh në vendin tonë, por ka ndodhur edhe në vende të tjera siç është në SHBA për garën për President. Natyrisht, demokracia ka zgjidhje edhe për këto raste dhe natyrisht kjo zgjidhje mbetet gjithnjë ligjore”- sqaroi kreu i LSI-së, Meta lidhur me këtë çështje. I pyetur në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor se çfarë mund të ndodhë në rast se kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha shpallet fitues, ai komentoi se nuk beson se do të ndodhë diçka, cilido që të jetë vendimi i Kolegjit Zgjedhor sepse Shqipëria ka Kushtetutën e saj, ka institucionet e saj kushtetuese për të zgjidhur çdo problem. “Nuk është rruga e presionit ndaj institucioneve për të zgjidhur problemet dhe çdo paragjykim, absolutisht që nuk ndihmon jo vetëm këtë proces solid e demokratik, por nuk ndihmon as ata atë cilët bëhen protagonistë të konflikteve, të presioneve sepse duket qartë që kjo alternativë nuk ka gjetur mbështetje më 8 maj”- theksoi Meta. Ai pohoi se këtë e bën qartë edhe vota popullore, e cila është edhe vota politike e këtyre zgjedhjeve, duke theksuar se është votuar bindshëm kundër alternativës së shantazhit ndaj institucioneve dhe shtetit ligjor. Është votuar për alternativën tjetër, atë të respektimit të shteti ligjor, të respektimit të institucioneve dhe të bashkëpunimit në emër të integrimit të vendit”- përfundoi fjalën e tij kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
...