Rama i betohet Presidentit dhe e tradhton atë brenda ditës

Boja e betimit para presidentit, mbi kushtetutën e vendit është fshirë brenda ditës prej kryeministrit Edi Rama. Sapo u betua për besnikëri ndaj presidentit dhe kushtetutës, ai mori vendimin e parë kundër kryetarit të shtetit. Kjo sjellje tregon se në thelb të qeverisjes socialiste do mbetet rrënimi i unitetit të vendit
Çuditë e Edi Ramës do të mbahen mend gjatë. Jo vetëm se ai njihet si njeri që nuk mban premtime, nuk njeh as burrëri, zakon apo fisnikëri, por edhe për gjënë më të pazakontë që bëri duke hequr portretin e Presidentit nga zyrat e shtetit shqiptar. Se sa vlerë ka betimi për një njeri si Edi Rama, simbolikisht na e tregoi një rast i tillë. Shpjegimin e ka të qartë. Ai nuk duron njeri tjetër mbi krye pasi i duket se i prish avenirin dhe rrugën gjithë gropa karrierës së tij. Nuk shkoi shumë ajo punë, por vetëm një kalim bulevardi për të treguar tradhtinë e pabesinë e tij kronike. Sapo u betua për besnikëri ndaj presidentit dhe kushtetutës, Rama mori vendimin e parë kundër Presidentit. Vendimi për të hequr portretin e presidentit nga zyrat shtetërore nuk gjen krahasim në asnjë shtet të Europës, përveçse pjesërisht në një vend të rajonit. Shkoni ku të doni, në Itali, Gjermani, SHBA, Britani të Madhe, Holandë, Belgjikë, Suedi, etj, etj, kudo do gjeni nëpër zyrat e shtetit shqiptar fotografinë e kryetarit të shtetit. Nisur nga filozofia “e të bërit ndryshime”, Rama nuk është çudi që të hipë në Kryeministri nga tarraca e godinës, e mbledhjeve të qeverisë në bulevard, kopshte, Pezë, etj, pasi ai e koncepton qeverisjen si formë interesante bienaleje, njësoj si koha kur hante makarona si emigrant maroken rrugëve të Parisit ku punonte si biçim bojaxhiu. Nga kjo arsye Edi Rama kurrë nuk do të ngrihet në formatin e një shtetari por do ngelë më shumë në një magazinier bienaleje, njësoj si ata “artistët” që sillte kur ishte ministër Kulture. Mbahet mend shumë mirë njëri prej këtyre artistëve që për art në Galerinë e Arteve Figurative bëri shurrën publikisht nën duartrokitjen e “artistëve” të llojit të Ramës. Vendimi i Edi Ramës nuk mund të jetë detyrues për institucione që kanë në varësi qeverinë si Kuvendi, apo institucione të tjera të varësi të Presidentit apo organit legjislativ. Për sistemin gjyqësor, nuk ka si të jetë detyrim institucional mobilimi i zyrës apo vendosja e këtij apo atij sendi. Kryetari i shtetit është përcaktuar si i tillë nga kushtetuta e vendit dhe vendimet që merr lakuriqi i plazheve të botës, kanë vetëm një vlerë, atë të koshit të plehrave. Ai është një vendim antikushtetues.
Këtu nuk është fjala për të vlerësuar Ismail Qemal Vlorën, të cilit Rama nuk i di as mbiemrin, e jo më t’i njohë veprën e kontributin e tij për Shqipërinë. Është injorim i madh për babain e pavarësisë që një vendim me firmën e Ramës të përmbajë emrin e Ismail Qemal Vlorës. Ky i fundit është shquar për urtësi, mendjekthjelltësi, dashuri, largpamësi, etj. Në krahasim me të, Rama, me një jetë të mbrapshtë ku nuk shkëlqen asnjë, me urrejtje të madhe ndaj njeriut e me probleme që nuk është vendi për t’i thënë është njeriu më i papërshtatshëm për të bërë vlerësime të tilla.
Në fund të fundit Rama nuk e bën në shenjë respekti. Ai ka respekt formal ndaj të vdekurve, por urren sidomos të gjallët. Aq më shumë kur nga pikëpamja kushtetuese janë mbi kryet e tij.