E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama inauguroi detyrën duke shkelur Kushtetutën - përbën rrezik kombëtar

17-09-2013 / Gazeta 55

Heqja e portretit të Presidentit nga institucionet shtetërore, reagon ish-presidenti Berisha

“Një akt i turpshëm urrejtje primitive”, e cilëson lideri historik i demokratëve, Sali Berisha vendimin e Edi Ramës për të hequr nga institucionet shtetërore, portretin e Presidentit të Republikës. Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ish kreu i PD thotë se kryeministri Rama shpalosi një akt urrejtje, përçarës dhe të shëmtuar që bie haptas në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit. “Neni 86 i Kushtetutës, pika 1 stipulon: Presidenti i Republikës është kryetari i shtetit dhe përfaqëson unitetin e Popullit. Të dashur miq, Edvin Kristaq Rama inauguroi detyrën e kreut të ekzekutivit me një akt të shëmtuar të urrejtjes klasore, atë të heqjes nga zyrat shtetërore të portretit të Presidentit të Republikës. Ky është një akt urrejtje, përçarës dhe i shëmtuar që bie haptas në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, e cila përcakton Presidentin e Republikës si kryetarin e shtetit dhe përfaqësuesin e unitetit të popullit. Pikërisht se në çdo vend kryetari i shtetit përfaqëson unitetin e popullit, portreti i tij është dhe portreti zyrtar i vendit. Ky vendim i turpshëm është jo një nderim, por një turp kombëtar për çdo shqiptar nga Skënderbeu te themeluesi i Pavarësisë sonë, Ismail Bej Vlora e deri tek foshnja që ka hapur sytë mëngjesin e kësaj dite”- shkruan Berisha. Ai thekson se vendimi nuk mund të merrej pa ndryshimin e nenit 86 pika 1 të Kushtetutës. Gjithashtu, lideri historik i demokratëve shton se “ky kryeministër, që me një urrejtje të papërmbajtur inauguron detyrën e tij duke shkelmuar Kushtetutën dhe përcaktimet e saj, përbën një rrezik të madh kombëtar”.
Heqja e portretit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani nga institucionet shtetërore, ishte ndër vendimet e para të marra nga Edi Rama. Më saktësisht, vendimi njoftohet përmes një
njoftimi të shkurtër, të publikuar në faqen e re të Këshillit të Ministrave, njoftohen tri vendimet. “Zëvendësimin e portretit të Presidentit të Republikës në ceremonialin zyrtar me portretin e themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit”, thuhet në njoftim. Me këtë vendim është ndërhyrë në Ligjin për Protokollin e Shtetit, ku përcaktohet përdorimi i portretit të Presidentit të Republikës. Kapitulli “Flamuri Kombëtar” i Protokollit të Shtetit. Në pikën 1.18 thuhet: “Në zyrat e administratës publike, duke filluar nga niveli drejtor drejtorie deri te titullarët e dikastereve dhe në përfaqësitë diplomatike shqiptare jashtë shtetit është e detyrueshme të vendoset portreti i Presidentit të Republikës”. Kësisoj, me këtë vendim, Edi Rama jo vetëm tejkalon çdo pritshmëri të një qeverie për të gjithë shqiptarët, por njëherazi shkon në caqet e krijimit të konfliktualitetit artificial, thjesht e vetëm për të mbajtur të ndezur konfliktin politik, i cili shihet si shpëtimtar për dështimet e pritshme të qeverisë së re.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›