Rama i frikshëm, Mavraj dhe Bulku të pakalueshëm
Ndeshje e mirë e djemve të De Biazit, nota pozitive…
Lojtarët e kombëtares shqiptare dhanë maksimumin në fushën e lojës pavarësisht se nuk mjaftoi për të dalë me tri pikë nga Qemal Stafa. Pavarësisht mungesave të shumta trajneri De Biazi kishte hedhur në fushë një formacion të vendosur mirë taktikisht edhe pse fizikisht jo fort mirë. Nga Berisha në portë dhe deri tek Çani në sulm lojtarët treguan momente tepër pozitive dhe bënë ndeshje relativisht të mirë.
Etrit Berisha- Pas disa ndeshjeve edhe porta e mbrojtur prej tij pëson gol. Gjiganti i portës luajti minuta vërtet të mira, edhe pse tek goli mund të kishte bërë më mirë. U vu shumë pak herë në provë dhe ato herë reagoi pozitivisht. Daljet janë pika e tij më e fortë, por vallë pse u mendua tek rasti i golit… Nota 6.5
Armend Dallku- Mbrojtësi më shumë i kritikuar nga tifozët vazhdon të jetë i rëndësishëm. Ka raste kur gabon, por edhe rikuperon mjaft mirë. Për shumë minuta vuajti presionin e kundërshtarëve, por në pjesën e dytë e mori veten mirë. Nota 6
Admir Teli- Duhet të zëvendësonte një lojtar si Lorik Cana dhe ia arriti më së miri. Me Mavrajn në krahë krijuan një dyshe shumë të fortë që mund të jetë siguri për të ardhmen. Eksperienca e tij është e nevojshme për kombëtaren. Në pjesën e dytë gjeti pak vështirësi për shkak të zëvendësimit taktik të trajnerit. Nota 6
Mërgim Mavraj- Jo më kot e quajnë Mat Humelsi shqiptar. Është vërtet mbrojtës shumë i fortë. Fitoi pothuaj çdo duel të mundshëm edhe pse luajti për shumë minuta i dëmtuar. Nëse kombëtarja ka një pikë të fortë ajo është pikërisht në qendrën e mbrojtjes. Me pak fat, mund të shënonte edhe golin e parë. Nota 7
Ansi Agolli- Treni i krahut të majtë. Mbrojtësi që luftoi për çdo top dhe ia arriti qëllimit. Krosimi i tij që në minutën e parë mund të zhbllokonim rezultatin. Në pjesën e parë ishte vërtet i papërmbajtshëm, por në të dytën i ranë pak bateritë. Nota 6.5
Emiliano Vila- De Biazi e vlerëson shumë këtë lojtar dhe bën mirë. Është i papërtuar dhe vrapon shumë në krahun e majtë. Është i aftë të bëjë edhe mbrojtjen edhe sulmin. Kishte mundësinë e artë për të shënuar golin e fitores, por goli i goditur prej tij kaloi shumë pranë shtyllës. Nota 6
Migjen Basha- Nëse një Altin Lalë i dha lamtumirën futbollit, një tjetër po lind në kombëtare. Mesfushori i Torinos ka eksperiencë dhe shumë klas në këmbët e tij. Me Bulkun krijojnë një dyshe vërtet të mirë. Në gjithë performancën e tij të mirë, ka vetëm diçka të vogël negative… e mban topin më shumë seç duhet. Nota 6.5
Ervin Bulku- Kapiteni i ekipit ishte shpirti i skuadrës. Vrapoi nga njëri cep në tjetrin dhe dha të gjitha forcat e tij. Përveç se i fortë fizikisht, dha edhe një asist të shkëlqyer për Salihin që kishte mundësinë e shënimit të golit të dytë. Digë e pakalueshme në mesfushë. Nota 6.5
Valdet Rama- Autori i golit që ngriti peshë gjithë stadiumin. Ishte spektakolar dhe i papërmbajtshëm. Gjithmonë problem për Rud Espen. Driblin dhe goditje e kalibruar… Ai ka gjithçka që i duhet një lojtari. Nota 7.5
Hamdi Salihi- Nëse dy muaj më parë u shndërrua në hero, këtë herë ishte një luftëtar i mirë. Vrapoi shumë dhe e ndihmoi skuadrën në fazën mbrojtëse. Mund të shënonte golin e dytë, por fati nuk ishte me të. Goditja spektakolare me kokë u ndal në traversën e Jarstein. Nota 6
Edgar Çani- Sulmuesi shtatlartë u paraqit shumë mirë. Gaboi dy raste shumë të mira, por kjo nuk ia ul aspak vlerat kësaj ndeshjeje pozitive për të. Në shumë raste u detyrua të bënte sulmuesin e dytë edhe pse fiziku i tij nuk ia lejon atë. Nota 6
Tefik Osmani- U fut si zëvendësues dhe kaloi minuta shumë të mira. Mbrojtësi shtatlartë fitoi shumë dyluftime, por nuk ia doli tek rasti i golit… Nuk ishte aspak faji i tij. Nota 6
Më aktivi
Valdet Rama ishte lojtari që krijoi më shumë raste dhe volum loje nga kuqezinjtë e De Biazit.
Më pak aktivi
Armend Dallku ishte lojtari që gaboi në disa raste. Mbrojtësi mund të kishte bërë edhe më mirë, por sidoqoftë ishte provë pozitive.
