E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, i palodhur kundër statusit të Shqipërisë në BE

21-09-2011 / Gazeta 55

Deputetët dhe ndihmësit e Edvinit deklaruan dje se jo vetëm në 2011, por as në 2012, Shqipëria s’do të lejohet të marrë statusin e kandidatit për në BE. “Vetëm pasi të merret pushteti prej Edi Ramës, do të lejohet marrja e statusit”, konfirmuan këto dy ditë Ditmir Bushati e Erion Veliaj, duke skandalizuar jo vetëm opinionin publik, por edhe partnerët strategjikë të Shqipërisë

Aksionet politike të Partisë Socialiste janë fokusuar qartësisht në funksion të fushatës kundër integrimit Evropian të Shqipërisë. “Kursi i ri” është edhe alternativa për lënien e Shqipërisë jashtë dyerve të BE-së, edhe për këtë vit, pas refuzimit të dhënies së statusit të vendit kandidat 1 vit më parë. Ngërçi politik i frymëzuar nga bojkoti 2 vjeçar i parlamentit ka lënë pasoja të rënda për vendin, por as rikthimi i PS-së në Kuvend nuk pritet të sjellë të “mira” në kuadrin e miratimit të ligjeve dhe reformave. Bllokada anti-evropiane do vazhdojë edhe për një kohë të gjatë, pavarësisht apelit të ndërkombëtarëve për plotësimin e “detyrave” të Brukselit. Edi Rama ka kurdisur të gjithë arsenalin politik të PS, në funksion të destruktivitetit në Parlament dhe shantazhimin e mazhorancës me kërkesa dhe kushte absurde dhe të paprovuara më parë. Situata është e qartë, Edi Rama dhe ndjekësit e tij duke mos dhënë konsensusin e ligjeve dhe reformave, mbajnë mbi supe riskun e mos marrjes së statusit të vendit kandidat nga vendi ynë. Edhe pse përgjegjësit janë të shigjetuar, grupi parlamentar socialist, përsëri kryesocialisti ka “mendjen e ftohtë” të pranojë publikisht se integrimi i Shqipërisë nuk është në axhendën e socialistëve në Kuvend. Të këtij qëndrimi është pjesa e shpurës që pretendon se është kultivuar në vendet perëndimore, por që për turp janë të infektuar nga Enveri dhe Ramizi. Ish Mjaftisti apo ish drejtuesi i G99-ës, Erjon Veliaj, aktualisht koordinator i opozitës tha shprehimisht se “Shqipëria s’do e marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti”. Sipas tij, Shqipërisë do i çelet drita jeshile drejt realizimit të aspiratës së integrimit Evropian, pas vitit 2013-ë, atëherë kur sipas Veliajt kryeministër do jetë Edi Rama... Nga këtu, Veliaj nxjerr plotësisht lakuriq planet e zeza politike të Edvin Ramës, për të mësyrë kundër aspiratës Evropiane të vendit, ndërsa alibia se Shqipëria do integrohet me Edi Ramën, është mashtrimi më i madh që mund të ekzistojë në tregun politik dhe atë mediatik të vendit, pasi ngjason me premtimet bastarde të Enver Hoxhës në prag të çlirimit të Shqipërisë 66 vjet më parë, për mrekullinë e Shqipërisë me komunistët, ndërsa kundërshtarët e ideologjisë staliniste-marksiste, etiketoheshin me emrin ballistë. Të njëjtën logjikë mendimi shpreh dhe Ditmir Bushati, i cili në union me qëndrimet politike të kryesocialistit, si ligjvënës denigron personalitetin e tij si dhe fyen rëndë votuesit që e mandatuan si përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë. Dy ditë më parë PS shprehu haptazi në komisionin parlamentar të Integrimit se jo vetëm s’do bashkëpunojë me mazhorancën në Kuvend, në funksion të miratimit të 12 rekomandimeve të Brukselit, ndër to edhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit, por njëherazi me besë-prerjen ndaj Brukselit do këmbëngulë për rikthimin në komisionet parlamentare të Kuvendit, të të gjithë drafteve ligjore që janë konsultuar dhe miratuar njëherë. Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i aksionit politik të PS-së, pasi duke kundërshtuar miratimin e ligjeve dhe reformave, Shqipërisë i jepet një shuplakë e rëndë në raportin vjetor të Komisionit Evropian, çka nënkupton edhe shtyrjen e vendimit të këshillit të Ministrave për dhënien e statusit të vendit kandidat.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›