Rama i përgjigjet Berishës: Deklarata të ulëta të një burri në moshë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u është përgjigjur deklaratave të bëra nga kryeministri Berisha në Çorovodë, nga qyteti i Beratit. Rama i cilësoi si përralla deklaratat e kryeministrit, ndërsa e cilësoi këtë të fundit si gjysh.
Reagimi
Të gjitha shpifje të ulëta të një burri në moshë që duhet të ishte sot duke lexuar Çufon dhe Bubin Kaçurrel siç bëjnë të gjithë gjyshërit vjen vërdallë dhe u thotë përralla gjithë Shqipërisë. Çfarë mund të bëjë me ai që ka 8 vjet që mbretëron jo sepse populli i ka dhënë me shumicë votën po sepse shumica natyrale ka vjedhur vota për të vjedhur Shqipërinë dhe ka përfituar ndasirat dhe situatat e krijuara brenda nesh, tha Rama. Duke u ndalur tek koalicioni me LSI-në, Rama e cilësoi atë si historik. Bashkimi PS dhe LSI është historik për të mbyllur një kapitull dramatik të historisë politike, ekonomike dhe sociale, u shpreh Edi Rama.
Programi
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal më së shumti tek trashëgimia kulturore e Beratit. Rama u premtoi banorëve se do të restauroj dhe mbroj kalanë e Beratit. Do e fillojmë nga kjo kala këtu që nuk ka një punonjës të vetëm për mirëmbajtjen. Po ta kishim Beratin e 2400 vjetëve fqinjët tanë të jeni të sigurtë që do e bënin dritë për të ndriçuar hartën Evropës. Po ja që në vendet fqinje ka shtet, kam parasysh dhe shtetin me të ri Kosovën, ndaj Berati është katandisur kështu, ndaj dhe Kruja është katandisur siç është katandisur. Ky shtet dhe pushtet, ky kryeministër sot ka ardhur këtu dhe nuk di se me çfarë fytyre i del këtij qarku, po i bën Krujës ato që nuk i bënë dy sulltanë. Po e masakrojnë duke lejuar që mostrat prej betoni ti sulen nga sipër kalasë, deklaroi Rama. Për këtë Rama solli në vëmendje kohën kur ai ishte kryebashkiak i Tiranës dhe forëm që kryeqyteti mori në kohën kur ai e drejtonte Bashkinë. Rama premtoi gjithashtu hapjen e 200 mijë vendeve të reja të punës, ndërsa shtoi se do të rikthehen në punë të gjithë ata që janë pushuar pa të drejtë nga kjo qeveri.
Rama: Berisha do kthejë rrogën e 13-të, pse e hoqi?
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e nisi turin e takimeve të tij në qarkun e Beratit në një takim me banorë të Poliçanit. Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal veçanërisht tek deklarata e bërë nga kryeministri Berisha dy ditë më parë në Gramsh ku premtoi rikthimin e rrogës së 13-të. Sipas Ramës, kryeministri e bëri këtë premtim pasi dëgjoi programin e PS-së. Çmendi dynjanë dhe i tha do i jap rrogën e 13-të. Dëgjoji ata që thamë ne me taksimin e ndershëm. Të gjithë ata që kanë një rroga nga 300 mijë leke deri 1.5 mln lekë të vjetra do përfitojnë 40 mijë lekë në muaj dhe në rrugë në vit. Nuk la llaf pa thënë për rrogën e 13-të tani tha do ja jap unë. Dëgjoi kur thamë se do japim certifikatën e tokës, doli pardje dhe tha më votoni mua se do e jap. Doli për taksën dhe tha unë do ju jap lekë në dorë. Ka më shqiptarë që besojnë se Saliu do japë leke në dorë?, tha Rama. Kryesocialisti akuzoi qeverinë se ka lenë pas dore këtë zonë të vendit duke shtuar se qeveria nuk ka asfaltuar asnjë kilometër rrugë në këtë qark. Këto rrugë janë akuza me e rendë që vjen nga ky qark për këtë qeveri që pretendon se ka ndërtuar 10 mijë kilometra rrugë. 10 mijë janë shiritat,për inaugurime nga 7 deri në 8 herë të rrugëve dhe rrugicave për të manipuluar këtë popull për propagandë, u shpreh Edi Rama.
Veliaj me të rinjtë: Punësim mbi bazë meritokracie
Kandidati për deputet i PS-së për qarkun e Gjirokastrës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me studentë të sapodiplomuar në profesione të ndryshme. Veliaj u shpreh para studentëve se qeverisja e pas 23 qershorit do të japë mundësi punësimi mbi bazën e meritokracisë. Qeveria e pas 23 qershorit do të krijoje vende pune për të rinjtë mbi bazën e meritokracisë dhe jo bindjeve partiake, praktike e cila ka mbytur administratën publike duke e kthyer atë në gangrenën e shtetit dhe mbytur vizionin për të rinjtë profesionistë, tha Veliaj. Kandidati i PS-së, u shpreh se papunësia e të rinjve ka në bazë situatën kaotike që zotëron në sistemin arsimor, një problem që do të gjejë zgjidhje me fitoren e së majtës. Sot ne jemi përballë një situatë kaotike, fillimisht në arsim e më pas për rrjedhojë edhe në hapësirat e punësimit. Sot të gjithë ne e dimë që ka me mijëra juristë të sapodiplomuar, por që nuk ka punë për ta. Sot ne e dimë që ka me mijëra ekonomistë të sapodiplomuar, por ushtrimi i këtij profesioni shumë specifik është gjithashtu i vështirë. Kjo e gjitha është pasojë e një sistemi arsimor universitar që ndodhet në kolaps, i keqmenaxhuar dhe klientelist. Kjo situatë duhet të marrë fund sa më parë sepse një jurist i sapo diplomuar nuk mund të punojë kamerier, është e pafalshme, deklaroi Veliaj.