E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Balla: Hetimi i zgjedhjeve, detyrim i qeverisë

TIRANE- Partia Socialiste paralajmëroi kryeministrin Berisha se me kokëfortësinë për hetimin e zgjedhjeve po vë në rrezik procesin e liberalizimit të vizave. Deputeti Taulant Balla, duke u mbështetur në rezolutën e ditëve më parë të Këshillit të Europës tha se është detyrim i qeverisë hetimi i zgjedhjeve. “Hetimi i zgjedhjeve është një detyrim të cilin Sali Berisha as nuk mund të luajë e as ta anashkalojë. Bojkoti nuk është zgjidhje e Partisë Socialiste por është e Sali Berishës” theksoi Balla. Socialistët pohojnë se Këshilli i Europës pranon krizën politike në Shqipëri, krizë e cila sipas selisë roze ka impakt negativ në proceset integruese. “Partia Socialiste është e gatshme të përmbushë detyrimet që lindin nga rezoluta e Këshillit të Europës. Fatkeqësisht mazhoranca po heziton. Refuzimi i mazhorancës po vazhdon të degradojë krizën. Ashtu sic theksohet në rezolutë, kriza ka një impakt negativ në procesin e integrimit europian dhe sigurisht edhe në procesin e liberalizimit të plotë të vizave për qytetarët shqiptarë. ”u shpreh Balla. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›