“Ramiz Alia u mërzit që as Berisha, as Kadareja nuk kërkuan pluralizëm partiak”
Luljeta Progni
Autori i këtyre mendimeve është Guro Zeneli, njeriu që njeh më mirë nga të gjithë Ramiz Alinë, ish-sekretarin e fundit të Byrosë Politike dhe njëkohësisht ish-presidentin e parë të Shqipërisë paskomuniste. Që di të flasë së paku me detaje, por edhe të rrëfejë momente të panjohura nga zhvillimet e vrullshme në politikën shqiptare në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90. Intervista është përfshirë në librin “Trashëgimtarët” që gazetarja e mirënjohur e politikës, Luljeta Progni, ka nxjerrë në botim pak kohë më parë. Në të njëjtin libër autorja ka përfshirë edhe intervista të protagonistëve të tjerë më të njohur të kësaj periudhe historike, të cilët kanë meritat më të shumta apo autorësinë e konvertimit historik të Partisë së vjetër të Punës në Parti Socialiste.
Çfarë mbani mend nga seanca e mbyllur e Kongresit X të PPSH-së?
Dritëro Agolli foli në kongres dhe dënoi apo kritikoi veprimtarinë e Enverit dhe bëri thirrje që “të distancohemi nga figura e Enver Hoxhës”. Kjo shkaktoi reaksion te një pjesë e mirë e sallës. Kur u bë pushimi, Dritëro Agolli shkoi në kafene dhe po rrinte atje bashkë me Skënder Dukën. Kemi shkuar në tavolinën e Dritëroit dhe i thamë se kishte folur shumë mirë në kongres. Dritëroi ishte vetëm dhe ne i thamë të mos shqetësohej. Por delegatët e kongresit reaguan ashpër në këndvështrimin që “si është e mundur që Dritëro Agolli të flasë kështu për shokun Enver”.
Ai ishte anëtar i KQ-së dhe kishte të gjitha funksionet në parti. Në të vërtetë, në ato kohë, kur Dritëroi kishte folur më parë, e mbrojti Ramiz Alia, sepse tha se një Dritëro ka Shqipëria dhe nuk mundej ta cenonte njeri, ndaj ishte i lirë të thoshte mendimin e tij në kongres. Në atë fjalim Agolli tha ndër të tjera se PPSH-ja do të reformohej atëherë kur nuk do të thërriste më: “Rroftë njëshi!”. Ai ishte kundër reputacionit të fortë të kryetarit apo, siç quhej atëherë, Sekretarit të Parë.
Në kongres Xhelil Gjoni mbajti raportin dhe nuk është se kishte ndonjë nëntekst të fortë, por ishte i përgjithshëm. Drejtimin e seancës kur u bë ai që u quajt “gjyqi i anëtarëve të Byrosë Politike”, e mori në dorë Gramoz Ruçi. Për mendimin tim, ai mbajti një qëndrim progresist.
Cili ishte reagimi i sallës kur u kërkua shkarkimi i Byrosë Politike?
E gjithë salla ishte për largimin nga partia të ish-byroistëve. Por e gjithë salla ishte sensibël kur përmendej figura e Enver Hoxhës. Disa prej tyre ishin pro, disa kundër, por kjo shkaktonte reaksion në sallë. Për sa u përket përplasjeve mes dy grupeve, mund të them se drejtuesi i seancës, Gramoz Ruçi, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm ekuilibrues, duke mbajtur qëndrime të paanshme dhe pa shprehur qëndrimin e tij në këtë situatë. Ishte një situatë shumë e tensionuar, ku disa delegatë ngriheshin herë pas here dhe deklaronin se do të largoheshin nga salla, ndërsa disa të tjerë deklaronin se do të mbroheshin me veprime ekstreme.
Reaguan ish-byroistët?
Reaguan ish-anëtarët e Byrosë Politike, por justifikimet ishin fare të pavlefshme. Mbaj mend që Rita Marko foli jo shumë saktë, ndërsa Foto Çami ka folur objektivisht. Ai pranoi gabimet dhe tha se kemi bërë gabime. U ul në sallë dhe nuk foli më.
Po përjashtimi si erdhi?
Përjashtimi u bë me vonë. Por mbaj mend se Ramizi tha: “E shikoni me kë kam punuar? Me nivelin e tyre mediokër”. Por kjo erdhi pasi folën anëtarët e Byrosë.
Kur i keni parë shenjat e para se Ramiz Alia kërkonte ndryshimin?
Në Kongresin IX të PPSH-së hodhi idenë e demokratizimit të partisë, duke ndryshuar në këtë mënyrë parullën e mëparshme se ishte “revolucionarizim i mëtejshëm i Partisë”. Termi “demokratizim i Partisë” nuk ishte përdorur kurrë më parë. Kjo parullë më bëri përshtypje, edhe pse unë kisha kuptuar më parë se fryma e ndryshimit kishte mbërritur dhe Ramizi e demonstronte këtë për ditë e më shumë.
Në vitin 1988 doli Hajredin Çeliku në një intervistë në TVSH dhe deklaroi se “mbledhjet e Partisë do të bëhen të hapura”. Në një mbledhje të hapur folën disa prej anëtarëve të Byrosë dhe në një prej fjalimeve Ramizi pyeti: “Keni gjë për të thënë?” Unë u ngrita dhe thashë: “Në këtë fjalim nuk mbetet asgjë në kohë, të gjitha fjalët i mori era”. Më tha shoku Ramiz: “Po ç’të bëjmë, t’u japim gurë, t’u peshojë fjala. Këta kemi ne dhe populli le t’i dëgjojë”. Në momentin kur ne pamë se ndërroi parulla dhe mbledhjet e partisë po bëheshin të hapura, kuptuam se po vjen ndryshimi. Atëherë doli edhe një barsoletë për të qeshur: “Del në pension nëna parti, si nënë me shumë fëmijë”.
Kush ishte konservator në Byronë Politike dhe mund të quhej dorë e fortë?
Ishte një opinion i tërë që ishte konservator dhe Byroja Politike për mua kishte krahë të fortë konservator Xhelil Gjonin dhe Hekuran Isain. Në Byronë Politike ata që ishin zgjedhur që në kohën e Enverit besonin se Ramizi nuk mund t’i shkarkonte dhe këtë e shprehnin. Për shembull, Hekuran Isai thoshte: “Mua më ka zgjedhur Enveri dhe s’më heq dot Ramizi”.
Sa për luftën kundër Ramiz Alisë, ka filluar qysh në kohën e tendencës për liberalizëm, kur Ramizi u kritikua në revistën e Partisë. E akuzuan si hrushovian dhe ishte plani që Ramiz Alia të ekzekutohej. Por ai diti të penetrojë, duke ndenjur më shumë i tërhequr sesa në sulm dhe ia doli.
Në kongres Ramizi ka mbajtur krahun e konservatorëve apo të liberalëve?
Në të vërtetë, në kongres ai ka mbajtur krahun e të dyja palëve. Kur takonte konservatorët, u fliste si konservator, ndërsa kur takonte liberalët, fliste si liberal. Ramizi organizoi takimin me intelektualët në fund të vitit 1989 vetëm me idenë që të flisnin intelektualët, që të gjente shkak për të bërë ndryshimin. Por ata nuk e kërkuan konkretisht ndryshimin që erdhi më vonë. Nuk e kërkoi ndryshimin as Ismail Kadareja, as Sali Berisha dhe askush tjetër. Kërkuan vetëm pluralizëm mendimesh dhe jo pluralizëm partiak. Mbaj mend që u mërzit e më tha: “Po si s’foli njeri?!” Ai ka kërkuar që në vitin 1988 në mbledhjet e organizatave të partisë: “A ka pikëpamje gorbaçoviane në parti?” Në rastin e takimit me intelektualët Ramizi e bëri listën e tyre vetë, duke i përzgjedhur me kujdes ata që mund të flisnin. Për mendimin tim Ramizi nuk ka qenë natyrë revolucionare, por natyrë që kërkonte t’i bënte gjërat shumë gradualisht. Unë e njoh, sepse kamë punuar me të që në vitin 1983.
Në kongres Ramiz Alia nuk u përjashtua nga partia, as Nexhmije Hoxha, pse?
Me sa di unë, Nexhmija i shkëputi të gjitha marrëdhëniet me Ramizin qysh kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës, sepse anëtarët e Byrosë Politike thanë se protestuesit “duhen vrarë dhe duhen marrë zvarrë nëpër sheshe”, ndër ta edhe Hekuran Isai. Por Ramizi mblodhi Komitetin Qendror për ta ndjekur situatën hap pas hapi, duke u kujdesur që të mos kishte gjakderdhje në këto ngjarje. Ai nuk pranoi që të qëllohej mbi turmat dhe situata mbeti nën kontroll. Merita për këtë mendoj se i takon më së shumti Ramiz Alisë. Mendoj se për këtë arsye e pranoi edhe Perëndimi Ramiz Alinë. Unë kam punuar shumë vjet me Ramiz Alinë dhe mund të them një gjë me bindje: kurrë nuk e kam dëgjuar të thotë “të dënohet”, “të vritet” etj., parulla dhune të zakonshme në kohën e diktaturës. Madje, dua të përmend një detaj. Kur Ramizi shkoi në një vizitë në Tropojë dhe aty pati një incident, që u quajt “tentativë për atentat”, u arrestua një djalë i ri, që quhej Skënder Haluca. Ai u dënua me vdekje, por ka ndërhyrë Ramiz Alia dhe ka thënë se nuk e pranon këtë vendim të Kuvendit Popullor, dhe kjo i shpëtoi jetën të riut nga Tropoja. Më vonë Haluca e ka deklaruar vetë, kur iu desh të gjykonte Ramiz Alinë në rolin e gjykatësit, por e kundërshtoi publikisht këtë rol, duke deklaruar se nuk do të gjykonte një njeri që i kishte falur jetën. Mendoj se Ramiz Alia ka qenë njerëzor dhe liberal.
Cilat ishin raportet e Ramiz Alisë me Sali Berishën?
S’kam dijeni se ka pasur ndonjë lidhje midis tyre përveç atyre që janë bërë publike. Mund të them se për sa i përket pluralizmit i vetmi nga vendet e Lindjes ku pluralizmin e shpalli partia në pushtet, PPSH-ja, deri atëherë parti-shtet, ishte pikërisht Shqipëria. Dhe shpalljen e pluralizmit e bëri pikërisht Ramiz Alia. Në të gjitha vendet e tjera pluralizmi u shpall në forma të ndryshme, duke përmbysur me dhunë pushtetin në fuqi.
Sipas jush, sa përpjekje janë bërë që gjithçka të mbetej brenda sistemit dhe të mos vinte pluralizmi në Shqipëri? Çfarë shenjash keni parë te Ramiz Alia?
Ramiz Alia nuk i çmonte dhe nuk i vlerësonte ata që e rrethonin, pra anëtarët e Byrosë Politike dhe KQ. Dhe ky zhvlerësim vinte jo për shkak të luftës për pushtet, por për shkak të nivelit të ulët intelektual që kishin anëtarët e Byrosë Politike. Për sa i përket kësaj çështjeje, dua të them se në PPSH kanë ekzistuar dy grupe: liberalët dhe konservatorët. Këta të fundit ishin të fuqishëm dhe sundues. Liberalët ishin më të ditur, me nivel të lartë intelektual, por ishin të paktë në numër. Pastaj, janë katër njerëz që e kanë drejtuar shtetin në komunizëm: Enveri, Mehmeti, Hysniu dhe Kadriu. Ramizi ishte gjithnjë në prapavijë. Ramizi ishte minorancë. Dora më e sertë e PPSH-së ishte Mehmet Shehu. Kur Ramizi rrezikoi, në kohën e liberalizmit, i gjithë blloku e sulmoi. Ishte ideja që Ramizi ishte kundër linjës së Enverit. Kjo është parë në plenumin liberal, ku ishte kupola, Ramizi dhe ata të tjerët; Todi Lubonja me shokë vetëm zbatuan strategjinë e Ramizit. Dua të tregoj disa detaje që kanë të bëjnë me liberalizmin e Ramizit.
Kur u prish feja më 1967-ën, Mehmet Shehu thërret Agim Meron dhe i thotë: “Futi kazmën asaj Xhamisë së Tabakëve”. Dhe Gimi i thotë Ramizit se çfarë i kishte thënë Mehmeti. Ramizi i thotë: prit mos vepro, mos e prish xhaminë. Pas pak e merr në telefon Agim Meron dhe i thotë që në asnjë mënyrë nuk duhet rrëzuar Xhamia e Tabakëve, sepse është porosi. Të kini kujdes në Shkodër dhe në minoritete në procesin e prishjes së institucioneve fetare, si kisha dhe xhamia. Mehmeti nuk reagoi fare. Ramizi është një natyrë tjetër, është liberal. Ai ndryshon nga të gjithë pushtetarët e atëhershëm, por edhe të tanishmit.
A vazhdoi Ramizi të ndikonte në politikë pas viteve ‘90?
Po, në PS ka ndikuar për njëfarë kohe.
Ç’raporte kishte Ramiz Alia me Fatos Nanon?
Nano ishte i pari në aparatin shtetëror që kërkoi ekonominë e tregut. Në vitin 1987, kur doli “Perestrojka”, doli problemi të gjendeshin mekanizmat ekonomikë. Ramizi e ka dërguar Fatosin në Gjermani, ndërsa Gramoz Pashkon në Suedi. Fatosi foli si ekspert, ndërsa Gramozi foli si kryeministër, ndërkohë që nuk ishte në atë pozicion. Nano solli informacion nga Gjermania dhe rekomandoi ekonominë e tregut. Në këtë çast duket se Ramizi e piketoi si politikan. Nano u sulmua nga anëtarët e Byrosë Politike për mendimet lidhur me ekonominë e tregut, por Ramizi u tha: “Çfarë keni me të, ai vetëm mendim dha, nuk bëri gjë.” Në atë kohë, ose më parë, më 1986, ka filluar një tur i disa intelektualëve në disa vende perëndimore. Ky ishte, siç duket, një sinjal se po kërkohej informacion nga jashtë dhe se po kërkohej ndryshimi. Unë kam shkuar në Zvicër në atë kohë, bile sapo kishte nisur marrëdhënia ajrore me Zvicrën. Shkuan në disa vende shumë intelektualë. Kur shkova në Zvicër, unë nuk u prezantova si i partisë, por si mësues në një shkollë të mesme. Na ishte dhënë porosi që të mos prezantoheshim si të partisë. Nuk e di arsyen. Pra, Ramizi ka nisur përpjekjet për ndryshim që në vitin 1986, ose më parë. Por kishte një dobësi: nuk ishte i vendosur, nuk kishte burrërinë e nevojshme të thoshte: “Tani vjen ndryshimi, bie sistemi dhe jemi në pluralizëm”. Këtë ndoshta duhet ta kishte bërë më parë dhe jo të qëndronte hap pas hapi.
Në vitin 1989 Xhelil Gjoni propozoi që të gjithë anëtarët e Byrosë dhe të Komitetit Qendror të dilnin në pension, përveç Ramiz Alisë. Kjo shkaktoi debat, sepse nuk u erdhi mirë atyre që dilnin në pension që të iknin nga postet, domethënë. Ramizi u ngrit dhe tha se “do ta shtyjmë në një moment tjetër”.
14.03.2009