Rama kërcënoi me paketë ligjore, Berisha: T’i përgjigjemi dhëmb për dhëmb! Në raport me BE-në dhe NATO-n, ai është një copë m** mbi mëndafsh! Mercenarë nga Spanja? E gjithë diaspora i duket si…
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi paketën e re ligjore të propozuar nga kryeministri Edi Rama në lidhje me dhunën në protesta, duke iu thënë qytetarëve se ata duhet t’i përgjigjen “dhëmb për dhëmb”.

Në bashkëbisedimin e sotëm me ndjekësit në rrjete sociale, Berisha theksoi se asnjë qytetar nuk duhet t’i njohë këto masa ndëshkuese nga kryeministri ndaj të rinjve që janë ngritur kundër tij dhe i kërkojnë dorëheqjen.
“Ne si qytetarë të mos njohim asnjë prej tyre, por të ngrihemi dhëmb për dhëmb kundër Edvin Kristaq xhelatit, padrinos së vendit, dhe t’i japim atë që meriton. Edhe e deklaroj këtu që s’ka ligj as forcë në botë që do mund të pengojë Partinë Demokratike për të përmbushur misionin e saj, largimin e tij, qeverinë teknike, zgjedhjet e lira e të ndershme. Kërkesa këto të fuqishme, të drejta, të revoltës studentore.”, tha Berisha.
Më pas Berisha u pyet edhe nëse sistemi Smart City duhej të hetohej për shkak se, sipas tij, arrestimet ishin bërë përmes tij. Qytetari theksonte se sistemi duhej të hetohej edhe për abuzimet financiare në shkelje të ligjeve të BE-së, NATO-s dhe të të drejtave të njeriut.
“Sigurisht që do hetohet plotësisht, por të garantoj se Edi Rama, kreu i organizatës kriminale shqiptare, Edi Rama, në raport me Bashkimin Europian dhe NATO-n, nuk është gjë tjetër vetëm ajo që thoshte Taleran për Fushenë: një copë m** mbi mëndafsh.”, shtoi ai.
Një koment bëri edhe për deklaratën e bërë nga Rama më herët se ditën e djeshme kishin ardhur në protestë “mercenarë nga Spanja”.
“Ky sot akuzoi Spanjën që paska dërguar këtu mercenarë. Nuk specifikoi kombësinë e tyre, por tani e gjithë diaspora i duket mercenare këtij. Ju siguroj se Partia Demokratike do bëjë gjithçka për të mobilizuar maksimumin e mbështetjes nga diaspora për studentët, dhe janë të gjitha dëshmi të një paniku të tmerrshëm, të lepurit të tmerrshëm që i ka hyrë, që e ka gjithnjë në bark, por tani po e gërryen keq Edi Ramën.”, shtoi Berisha.