“Rama kërkon t’i japë goditje vdekjeprurëse shtetit ligjor” – Gjekmarkaj për masat ndëshkuese: Shqipëria nuk do t’i dorëzojë liritë e saj për t’u kthyer në një shtet policor
Deputeti i Partisë Demokratike dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka reaguar në lidhje me paketën e re ligjore të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, duke theksuar se vendi rrezikon të kthehet në një shtet policor.

Në një reagim, Gjekmarkaj deklaron se forcat operacionale mbajnë nën përgjim selinë e Partisë Demokratike dhe se qytetarët po thirren në komisariate për t’u pyetur nëse kanë marrë pjesë në protesta. Ai i cilësoi këto veprime si shkelje të të drejtave kushtetuese dhe përpjekje për të frikësuar qytetarët.
Duke komentuar përplasjet gjatë protestës, Gjekmarkaj akuzoi policinë për përdorim të tepruar të forcës, sulme ndaj mediave, plagosje të protestuesve dhe keqtrajtim të personave të ndaluar. Sipas tij, këto dëshmojnë politizimin e institucioneve të rendit.
Duke u ndalur te masat ndëshkuese, ai i cilësoi si një përpjekje të Ramës për të dobësuar shtetin ligjor. Gjekmarkaj theksoi se Shqipëria nuk duhet të kthehet në një shtet policor dhe se të drejtat e qytetarëve për protestë dhe shprehje duhet të mbrohen.
“Deklaratat e sotme të kryeministrit Edi Rama për ta shndërruar Shqipërinë në shtet policor janë përpjekje për t’i dhënë goditjen vdekjeprurëse shtetit ligjor në Shqipëri. Por shqiptarët nuk do t’i dorëzojnë të drejtat dhe liritë e fituara me aq mund.“, tha ai.
REAGIMI I PLOTE:
Forcat operacionale po mbajnë nën përgjim selinë e Partisë Demokratike dhe çdo pamje abuzive dhe kinse komprometuese i përcillet Partisë Socialiste!
Kjo është dëshmi tronditëse e shndërrimit të Policisë së Shtetit nga një institucion që duhet t’u shërbejë qytetarëve, në një polici politike në shërbim të partisë në pushtet.
Në një vend normal demokratik, përgjimi i opozitës do të mjaftonte për të shkaktuar një krizë të rëndë politike. Përgjimi i opozitës është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e lirive themelore.
Skënder Hitaj, i cili u shfaq para disa ditësh në shesh me arrogancën e një kaposhi, po sillet si dikur Zylftar Ramizi. Por do të vijë dita kur historia dhe drejtësia ta gjykojnë njësoj si atë.
Ndërkohë, komisariatet po kthehen në ish-degë të Punëve të Brendshme, duke thirrur qytetarët dhe duke i shantazhuar për të mësuar nëse kanë marrë pjesë apo jo në protestë. Ky është intimidim politik, një përpjekje për të frikësuar qytetarët dhe për t’u mohuar të drejtën kushtetuese për të protestuar.
Skenat e djeshme të dhunës ishin vërtet tragjike dhe dëshmi e politizimit ekstrem të forcave të rendit. Rreth 40 sulme të policisë ndaj mediave, goditja e shënjestruar me ujë ndaj automjetit të News 24, urdhri i transmetuar në radio, “gjuani me plumba gome , gjuani me gaz mos u kurseni!”, vazhdimi i rrahjeve ndaj personave pa ndjenja, plagosja e tëndë në sy e një te riu protestues paqësor që , si dhe keqtrajtimi i të ndaluarve në komisariate, janë shenja të frikës dhe të degjenerimit institucional.
Këto nuk janë shenja force. Janë shenja të një pushteti që, përballë qytetarëve, zgjedh dhunën në vend të përgjegjësisë dhe frikësimin në vend të ligjit.
Deklaratat e sotme të kryeministrit Edi Rama për ta shndërruar Shqipërinë në shtet policor janë përpjekje për t’i dhënë goditjen vdekjeprurëse shtetit ligjor në Shqipëri. Por shqiptarët nuk do t’i dorëzojnë të drejtat dhe liritë e fituara me aq mund.
Le ta kuptojë kushdo: dhuna e vërtetë është të vjedhësh zgjedhjet, të vjedhësh shqiptarët, të kriminalizosh ekonominë, ta shndërrosh korrupsionin në standard qeverisjeje dhe të pengosh drejtësinë. Dhunë nuk është përpjekja për t’i dhënë Shqipërisë të kundërtën e kësaj.
Shqipëria nuk është pronë e qeverisë, policia nuk është pronë e kryeministrit dhe qytetarët nuk janë nënshtetas të një pushteti që duhet t’i frikësojë.
Shqipëria u përket shqiptarëve dhe liria e tyre nuk negociohet!