E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kërkon më shumë minuta në Bundesligë

Prishtinë, 20 gusht - Mesfushori Valdet Rama pret që në edicionin e ri të Bundesligës së Gjermanisë të luajë më shumë se në kampionatin e kaluar, ani pse trajneri i Hannoverit, Mirko Slomka, nuk është shprehur i kënaqur me atë që futbollisti kosovar ka treguar gjatë fazës përgatitore.

22-vjeçari Rama edicionin e kaluar regjistroi gjithsej 15 paraqitje në Bundesligë. Në stinorin debutues në kategorinë e parë gjermane reprezentuesi i Kosovës u përball me lëndime të shpeshta. Skuadra e Ramës, Hannoveri, ndeshjen e parë në kuadër të edicionit 2010/2011 të Bundesligës 1 e luan të shtunën në shtëpi kundër Eintracht Frankfurtit.

"Të shtunën e kemi ndeshjen e parë të kampionatit të ri dhe tash për tash punët i kam mirë te ekipi i Hannoverit. Natyrisht synimi im është të kem minutazhë më të madhe dhe paraqitje më të mira se në edicionin e shkuar", ka thënë Rama të enjten për gazetën.

"Dua që në këtë edicion të tregohem i suksesshëm dhe të dëshmoj se jam futbollist për Bundesligë. Jam i gatshëm dhe i përgatitur shumë mirë për lojë. Vetëm pres rastin tim për t'u dëshmuar. Besoj se trajneri do të më ofrojë rastin", ka shtuar Rama.  

Më herët trajneri i Hannoverit, Slomka, kishte thënë se Rama gjatë fazës përgatitore nuk ka punuar ashtu si duhet dhe se nuk ka arritur ende formën më të lartë.

Valdet Rama shpreson se në kampionatin e ri të mos  ketë telashe me lëndime si në të kaluarën.

"Edicioni është i gjatë dhe më pret një punë e madhe, por më e rëndësishmja është që të mos kem lëndime. Kam kaluar një periudhë pak të mundimshme përgatitore, por tash gjithçka është në rregull", ka shtuar Rama.

Ai pret që Hannoveri në fund të edicionit të renditet në mes të tabelës.

"Kemi ekip shumë më të mirë se në kampionatin e kaluar. Për këtë arsye jam optimist se nuk do të luftojmë për mbijetesë, por në fund do të renditemi të paktën për mesin e tabelës".

Mesfushori Rama ka kontratë me skuadrën e Hannoverit deri në qershorin e vitit 2012. Ai në radhët e Hannoverit u transferua në korrik të vitit të kaluar si futbollist i lirë. Para Hannoverit ka luajtur për Ingolstadin në Bundesliga 2.

Pjesë e skuadrës së Hannoverit është edhe kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Altin Lala, që do të mungojë në fillim të këtij edicioni shkaku i lëndimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›