Situata në veri mbetet e qetë, por nën tensione. Rexhepi: KFOR dhe EULEX të zhbllokojnë rrugët

“Situata e përgjithshme vazhdon të jetë e qetë dhe e normalizuar pas ngjarjeve të mbrëmshme ku patëm një shqetësim te të gjithë qytetarët. Situata është vënë nën kontroll shumë shpejtë dhe edhe gjatë natës së mbrëmshme, por edhe sot deri në këtë orë nuk është shënuar asnjë incident i vetëm. Policia e Kosovës vazhdon të kryej detyrat e saja në përkrahje të EULEX-it dhe KFOR-i dhe janë duke monitoruar për së afërmi situatën”- ka thënë zëdhënësi i Policisë së Mitrovicës, Besim Hoti. Ndërkohë, serbët, thuhet se kanë përforcuar barrikadat e tyre të vendosura edhe në afërsi të urës të lumit Ibër, e cila vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve. I ashtuquajturi Ministër për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka biseduar sot në Zveçan me përfaqësuesit e komunave paralele të veriut, të cilët kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga protestat dhe barrikadat dhe se kanë nevojë për mesazhe dhe ndihmë konkrete nga Beogradi. Nga ana tjetër, zyrtarë serbë thonë se i kanë paraqitur Bashkimit Evropian një propozim për zgjidhjen e problemit në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Sipas atij propozimi, policët e Kosovës dhe zyrtarët e doganave të Kosovës nuk duhet të jenë aty. Ndërkaq, politologu serb, Predrag Simiq, ka thënë se propozimi serb për pikat në Bërnjak dhe Jarinje mund të jetë blerje e terrenit në dialogun për kalimet kufitare.
Ministri i Brendshëm, Rexhepi: Zhbllokimi i rrugëve, përgjegjësi e KFOR-it dhe EULEX-it
Zhbllokimi i rrugëve që të çojnë në pikat kufitare 1 dhe 31 nuk është përgjegjësi e autoriteteve kosovare të policisë, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. “Sa i përket barrikadave, përsëris se kjo mbetet përgjegjësi e KFOR-it dhe EULEX-it. Por, nëse kërkohet edhe përfshirja e policisë sonë, nuk ka problem. Ata kanë rrugë alternative për furnizim, e nëse bëhen pengesë për KFOR-in, barrikadat do të hiqen”, shprehet Rexhepi në një intervistë për “Top Channel”, ndërsa transmeton telegrafi. Në këtë situatë, pa ndonjë plan për mundësimin e lëvizjes së lirë, ministri ftoi qytetarët serbë që në vend që të qëndrojnë në barrikada të fillojnë përgatitjet për sezonin e vjeshtës e të dimrit. “Është më mirë që ata serbë që rrinë në barrikada të përgatiten për vjeshtën e dimrin se sa të qëndrojnë aty. Por, kjo është çështja e tyre”. Ministri mohoi informacionet se doganierët serbë kanë refuzuar të shkojnë në pikën 1 dhe 31. “Nëse ata pengohen nga barrikadat duhet të lajmërojnë, por nëse refuzojnë të kthehen në punë do të shkarkohen nga detyra”. Ministri Rexhepi përjashtoi mundësinë që veriu të bëhet pjesë e bisedimeve me Serbinë. “Kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe nuk do të ketë bisedime me Serbinë”.
Luftë informalitetit dhe evazionit fiskal në veri, Qeveria parashikon një paketë masash për mbledhjen e detyrimeve tatimore
Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbledhjen e tatimeve edhe në komunat veriore të Kosovës. Drejtori i këtij institucioni, Behxhet Haliti thotë se kanë hartuar një plan konkret për t’iu qasur tatimpaguesve të komunitetit serb. Kurse njohësit e çështjeve ekonomike thonë se kjo do të jetë mjaft sfiduese.
Ndonëse për më shumë se një dekadë ATK-ja nuk ka mbledhur tatimet në veri të vendit, tani është e gatshme për një gjë të tillë.
Drejtori i kësaj administrate, Behxhet Haliti, thotë se nëse krijohen rrethana të përshtatshme, atëherë ATK-ja do të mund të bënte mbledhjen e tatimeve edhe në atë pjesë.
“Ne kemi bërë një plan sesi t’iu qasemi edhe tatimpaguesve të komunitetit serb. Në brendi të Kosovës, veçse kemi bërë hapa në atë drejtim duke rekrutuar staf në zyrën e Graçanicës, Shtërpcës apo në rajon të Gjilanit. Ndërsa, për rajonin e Mitrovicës kemi zhvilluar të gjitha procedurat, kemi rekrutuar një staf prej tetë inspektorëve, jemi të përgatitur për t’iu mbajtur trajnime në gjuhën serbe, kemi përgatitur të gjitha materialet dhe në momentin e parë që të krijohen kushtet, ne do të kemi një qasje më të madhe”, thotë Haliti.
Haliti thotë se aktualisht kanë kontakte me tatimpagues edhe në pjesën veriore dhe se disa sish kanë marrë numrat fiskalë dhe kanë filluar të instalojnë pajisjet elektronike fiskale.
Për njohësit e çështjeve ekonomike, mbledhja e tatimeve në veri do të jetë mjaft sfiduese për institucionet vendore.
Muhamet Sadiku nga Instituti RIINVEST thotë se në atë pjesë ka prani të theksuar të ekonomisë joformale dhe se vendosja e kontrollit nga autoritetet kosovare atje do të ndikonte pozitivisht qoftë për formalizimin e bizneseve, po ashtu edhe rritjen e të hyrave buxhetore.
“Ky proces do të jetë i vështirë. Së pari duhet që të gjitha këto biznese të regjistrohen në regjistrin nacional të bizneseve të Kosovës, në direktoriumin e veçantë, dhe në këtë mënyrë do të krijohet mundësia që në një proces që sigurisht do të zgjasë, të ndikohet politikisht që ato biznese të fillojnë të paguajnë tatimet në buxhetin e shtetit të Kosovës”, thekson Sadiku.
Ndryshe, që nga viti 1999, veriu i Kosovës që banohet me shumicë serbe nuk ka paguar tatimet, dhe ATK-ja për 12 vjet nuk ka arritur të shtrijë autoritetin e saj atje. Borxhet e përgjithshme të tatimpaguesve ndaj ATK-së janë rreth 260 milionë euro, dhe vlerësohet se një pjesë e madhe janë të tatimpaguesve në veri.