Rama pretendon se falë tij protestuesi i goditur në sy u nis për kurim në Itali, motra e Erjon Vishkullit e përgënjeshtroi, reagon Gazment Bardhi: Të doli boja, o mashtrues!
“Të doli boja, o mashtrues!”, kështu i është drejtuar kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kryeministrit Edi Rama, pas pretendimit të këtij të fundit se ishte angazhuar personalisht për dërgimin në Itali për kurim të Erjon Vishkullit, protestuesit të plagosur në sy me plumb gome gjatë protestës së djeshme studentore.

Bardhi reagoi pasi motra e të riut kundërshtoi deklaratën e kryeministrit, duke rrëzuar pretendimin e tij për ndërhyrjen në dërgimin e Vishkullit jashtë vendit për trajtim të specializuar.
“Të doli boja, o mashtrues! “E dërguam me kursimet tona për kurim në Itali”, motra e Erion Vishkullit “nxjerr bllof” Ramën: E çoi familja dhe miqtë, jo shteti! Në këto momente të rënda, lutemi të gjithë për shëndetin e Erionit dhe për rikuperimin e tij të plotë”,- shkruan Bardhi.
Erjon Vishkulli u godit me plumb gome në sy gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në Spitalin e Traumës, ai u nis drejt Italisë për trajtim më të specializuar.