Poetët - ushtarë të Luftës së Parë Botërore
E quajtur ndryshe edhe si “luftë pozicionesh” në luftën e Parë Botërore u krijua pikërisht nëpër llogore një letërsi jo e pakët. Në këtë përzgjedhje janë lënë jashtë zërat më të rëndësishëm të kësaj letërsie për t’u kujdesur në njëfarë mënyre për poetët – ushtarë më pak të njohur.
Serxho Solmi - (Kujtime të 1918) - Luftë do të thotë:
Luftë në kujtimin nuhator, do të thotë: erë e lëkurës së kalbur. E djersës. Erë e fekales së ndiçme. Të gjakut të freskët nën diell, të dendur, të ëmbël dhe të pështirë. Erë kalbëzimi. Erë anasoni në pagure. Erë cigaresh Sport të gjetura në llogoren e braktisur prej austriakëve, me pako në trajtë gjysmërrethi me letër kafe. Erë pisllëk i djegur në kundërgazet Mazzetti – Nicolai. Era e gomës së respiratorit anglez. Era therëse si e bajamtë e iprit. Erë e barutit të djegur. Era e barit e nuhatur me fytyrë të plandosur në tokë, duke vëzhguar, për kërcimin tjetër, lakimin e terrenit – mbrojtës.
Xhovanni Komiso - Përvjetor (1920)
Perëndimi i dritës, me diellin tashmë pingul, larg në qytete të tjera. Harmonikat e avashta mes qiparisave të drejtë. Shtëpia e braktisur mbi shpatin e blertë dhe të lagur prej shiut. Peisazhet afër pyjeve, në majë të kodrave. Malet me qiellin e murrëtyer nga mjegulla. Rrugët e shkreta. Si në mbrëmjen e një kohe të shkuar, pas një dite betejash mbi tokë. I përhumbur në shkrimet e mëdha, hapi im, nxiton drejt vilës që parfumoset me natën për gëzimin e dashurive të mia.
Vann’Anto - (Mbi malin e Shën Markos)
Ai që dje flinte
në llogoren përbri meje,
në të njëjtën dhomë, qeli a varr,
vëlla djepi
Nuk përgjigjet, - e thirra!-
nuk përgjigjet më;
nuk i mbërrin ulërima
e zemrës sime…hej, ti
shok, më kërko
më lut, edhe ti,
më thërrit…unë nuk dëgjoj
nuk përgjigjem më!
Françesko Meriano (Kryqe prej druri. 1916 -1919)
Edhe kjo eksperiencë falimentoi: ndoshta sepse u tentua me konceptin se flitej për një eksperiencë. Asnjë ndryshim, asnjë “kthesë e papritur” për mua. Nuk ka gjë tjetër veçse një rrugë të pafundme, të bardhë, të pluhurosur, që ne ushtarët po bëjmë me çantë shpine, krahosh, pushkë, vezme dhe bajoneta, pa ditur ku po shkojmë dhe pse.