Situata politike, Meta: Shkaku, lidershipi destruktiv i opozitës
Situata politike në vend është acaruar nga lidershipi destruktiv i opozitës. Ky është qëndrimi dhe vlerësimi i liderit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, Meta, zhvilloi dje homazhe në monumentin “Nëna Shqipëri”, së bashku me drejtuesit e tjerë të forcës politike që ai drejton, nga ku deklaroi për mediat se opozita duhet të bashkëpunojë. “Është plotësisht e sigurt se sjellja destruktive e lidershipit të opozitës nuk i shkon për shtat një opozite në një vend anëtar të NATO-s dhe një opozite në një vend që hyn në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Kështu që mos shikoni vetëm pasojat, por edhe shkakun dhe me këtë rast do i ftoja të gjithë që të heqin dorë nga etiketimet e panevojshme të karakterit personal dhe këtë në radhë të parë duhet ta bëjë kryetari i PS-së dhe natyrisht më pas dhe Kryeministri dhe gjithë të tjerët”, - deklaroi Meta. Ai shtoi më tej se tani është koha e bashkëpunimit, për të forcuar institucionet dhe garantoi se mazhoranca është e hapur dhe i ribëri thirrje opozitës. “Mendoj që çdo sjellje destruktive, jo vetëm nuk i shërben interesave të vendit, por as interesave të atyre që kanë votuar për një opozitë demokratike”, - shtoi Meta.
I pyetur më tej nga mediat, Meta tha se qëndrimi i LSI-së në lidhje me datën e çlirimit është i njëjti me atë që ka qenë. “Pjesa e mazhorancës që përfaqësojmë ne, njeh 29 nëntorin si Ditën e Çlirimit të vendit, për arsye se shumica e atyre që kanë luftuar, e familjeve të dëshmorëve, njohin pikërisht këtë ditë”, - deklaroi Meta.
Zoti Meta, sot është Dita e Çlirimit të vendit, por ju tashmë jeni përfaqësues i mazhorancës qeverisëse, e cila nuk e njeh këtë datë?
Pjesa e mazhorancës që përfaqësojmë ne njeh 29 nëntorin si Ditën e Çlirimit të vendit, për arsye se shumica e atyre që kanë luftuar, e familjeve të dëshmorëve, njohin pikërisht këtë ditë. Natyrisht ne jemi sot këtu për të nderuar kujtimin dhe sakrificën e gjithë vajzave dhe djemve të Shqipërisë, që dhanë jetën për çlirimin e vendit, por njëkohësisht edhe të gjithë veteranëve, të familjeve të dëshmorëve, sepse në themelet e kësaj Shqipërie evropiane që ne po ndërtojmë çdo ditë qëndron sakrifica dhe aspirata e tyre për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri të begatë, të barabartë me popujt e tjerë të zhvilluar të kontinentit tonë. Kështu që ndjehemi shumë mirë sot këtu më 28 nëntor. Dita është shumë e mirë dhe ditë shumë më të mira do të vijnë për Shqipërinë. Është një 28 nëntor, i cili për herë të parë e gjen Shqipërinë anëtare të NATO-s, pjesë të asaj aleance të madhe, e cila në fakt është vazhduese e asaj aleance kundër fashizmit dhe nazizmit ku u rreshtuan partizanët dhe partizanet e Shqipërisë me dinjitet.
Pavarësisht se flitet për një aleancë me NATO-n dhe një Shqipëri evropiane, kemi një Kuvend të bojkotuar nga opozita dhe proceset nuk vazhdojnë...
Mendoj se të gjithë duhet të ngrihen mbi interesat e vogla, aq më tepër mbi egot për pushtet dhe duhet të respektojnë pikërisht vullnetin e qytetarëve shqiptarë, duhet të respektojnë Kushtetutën e vendit, e cila është bërë me referendum nga populli shqiptar dhe duhet të sillen në mënyrë evropiane përderisa kemi hyrë në një moment të ri, atë të përgatitjes për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Mendoj që çdo sjellje destruktive, jo vetëm nuk i shërben interesave të vendit, por as interesave të atyre që kanë votuar për një opozitë demokratike.
Z. Meta, ditët e fundit ka pasur shumë replika me karakter personal mes liderëve politikë të PS-PD, sipas jush, si mund të shihen këto debate në sytë e ndërkombëtarëve dhe a mund të gjendet një rrugë komunikimi mes tyre?
Është plotësisht e sigurt se sjellja destruktive e lidershipit të opozitës nuk i shkon për shtat një opozite në një vend anëtar të NATO-s dhe një opozite në një vend që hyn në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Kështu që mos shikoni vetëm pasojat, por edhe shkakun dhe me këtë rast do i ftoja të gjithë që të heqin dorë nga etiketimet e panevojshme të karakterit personale dhe këtë në radhë të parë duhet ta bëjë kryetari i PS-së dhe natyrisht më pas dhe Kryeministri dhe gjithë të tjerët. Është koha për të forcuar institucionet demokratike, është koha për përqendruar energjitë në procesin e integrimit evropian dhe ju e dini se mazhoranca ka qenë dhe është gjithmonë e hapur, që në këtë proces të jenë të përfshirë dhe opozita, gjithë ekspertët e saj dhe gjithë kapacitetet e saj.