E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama letër Daul e Schulz: PS për zgjidhje me dialog

Në letër, Rama shpreh keqardhjen për dështimin e përpjekjeve të tyre për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri.

“Keqardhja ime për përfundimin e kësaj pjekjeje, e cila dëshmoi ndjeshmërinë Tuaj të veçantë ndaj Shqipërisë në rrugën e demokracisë e të integrimit, është sinqerisht e madhe. Por nuk është e vogël as shpresa ime, se Ju nuk do të tërhiqeni nga kjo përpjekje dhe angazhimi e eksperienca Juaj do të mbeteni në shërbim të zgjidhjes kërkuar me ngulm prej familjes evropiane, të dëshiruar përditë e më shumë prej opozitës shqiptare dhe kaq shume të domosdoshme për vendin tone e qytetar[t e tij në këtë moment delikat”, shkruan Rama në letrën e tij.

Më tej, lideri socialist shkruan se qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë hapa para drejt zgjidhjes së krizës, duke mos ndryshuar qëndrim që në ditën e parë. “çuditem sepse besoj që një qeveri e zgjedhur për të udhëhequr proceset e integrimit duhet të ishte natyrisht forca me e angazhuar për të dale nga rrethi vicioz i një krize si kjo që thellohet përditë. Shqetësohem sepse kjo krizë, të cilën kryeministri i vendit e mohon se ekziston, madje duke akuzuar çdo ditë opozitën si manipulatore e realitetit në zyrat e perëndimit, në të vërtete po dobëson përditë demokracinë dhe ekonominë e vendit”, shkruan Rama.

Në letrën e tij dërguar krerëve të dy grupimeve më të mëdha politike në Parlamentin Evropian, kreu socialist, shprehet se mbetet i hapur për gjetjen e një zgjidhjeje me dialog.

“Nuk dyshoj se përfaqësuesit Tuaj në tryezën e bisedimeve Ju kanë informuar hollësisht për ecurinë e tyre dhe Ju kanë treguar për hapat që opozita ka hedhur drejt zgjidhjes. Lejomëni që, duke Ju shprehur mirënjohjen edhe për kontributin e tyre të çmuar, t'Ju nënvizoj se opozita ka lëvizur cilësisht në kërkim të zgjidhjes duke shkuar edhe përtej ofertës që ne vetë bëmë në darkën e Strasburgut”, shprehet Rama.

Ai thekson më tej se në fund të këtyre bisedimeve, Partia Socialiste ka pranuar draftin, por këtë gjë nuk e ka pranuar maxhoranca, duke përmendur këtu edhe deklaratat e dy Daul dhe Schulz për pasojat që do të ketë për Shqipërinë moszgjidhja e kësaj krize.

“Sot Shqipërisë i duhet me patjetër një zgjidhje për të hapur rrugën e integrimit, duke përmbushur denjësisht kriterin e Kopenhagënit dhe duke lënë pas një krize që nuk mund të mbulohet pa u zgjidhur. Shqiptarëve u duhet medoemos një përpjekje e posaçme, e të gjitha forcave politikë, për të kapërcyer hendekun e hapur mes tyre dhe Evropës duke i hapur rrugë transparencës si edhe një sërë reformash jetike për demokratizimin, moderniizimin, integrimin”, shkruhet më tej.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›