Rama letër Rupel: Të gatshëm për realizimin e reformave
Kryetari i PS-së, Rama në një letër drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Dimitrij Rupel, shprehet për sfidat e politikës këtë fillim viti
TIRANË- Partia Socialiste në këtë fillim viti rikonfirmon edhe një herë përpara faktorit ndërkombëtar, gatishmërinë e saj për bashkëpunuar me gjithë forcat politike shqiptare për realizimin e të ashtuquajturave "reforma të mëdha". Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një letër drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Dimitrij Rupel, me rastin e marrjes së Presidencës së radhës të Komisionit Evropian nga ana e Sllovenisë, ka shprehur bindjen se, çështja e reformave dhe ajo e statusit të përfundimtar të Kosovës do të jenë dy pikat referuese për punën e klasës politike shqiptare. Në letrën e tij, kryesocialisti Edi Rama pasi uron ministrin slloven për detyrën e re, ka shprehur edhe vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për kapërcimin e detyrave urgjente që duhet të realizojë vendi në rrugën e tij drejt anëtarësimit në strukturat Euroatlantike. "Rinënvizoj vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste të Shqipërisë, për të punuar me ngulm në kapërcimin e detyrave më urgjente që përballet vendi ynë sot, siç është reforma në sistemin elektoral dhe atë të drejtësisë, forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimi e konsolidimi i institucioneve demokratike dhe krijimi i një klime politike të shëndoshë. Të gjitha këto, gurë themeltarë në rrugën e integrimit të vendit në BE dhe NATO",- shprehet Rama në letrën e vet.
Kosova
Ndërkohë, përsa i përket çështjes së Kosovës, kreu i selisë rozë shprehet se pavarësia e saj është e vetmja zgjidhje që do të garantonte një stabilitet për gjithë rajonin. "Dëshiroj gjithashtu të konfirmoj shumë qartë qëndrimin e opozitës shqiptare, sipas të cilit, ne dëshirojmë një Kosovë të lirë e të fortë dhe një Serbi demokratike me një të ardhme të qartë euroatlantike. Ne jemi të impenjuar dhe angazhuar për të punuar në ruajtjen e rolit moderator të Shqipërisë në rajon. Mendoj se tani në Ballkanin Perëndimor ka një moment, i cili mund të ndryshojë njëherë e mirë fatet e tij dhe roli juaj për t'i garantuar rajonit një perspektivë evropiane është historik",- thekson Rama në këtë letër. Ai ka gjetur rastin që të shprehë besimin se Sllovenia, si vendi që ka Presidencën e radhës të Komisionit Evropian, do të mbështesë aspiratat e popullit kosovar për pavarësi. "Ne si shqiptarë, kemi shpresa të mëdha në presidencën e vendit tuaj, ashtu si dhe te Ju personalisht. Jemi të bindur se gjatë presidencës së vendit tuaj, ju do të arrini atë çka shprehët në mesazhin tuaj, me rastin e marrjes së kryesisë së radhës",- shkruan Rama në letrën e tij. Sllovenia mori drejtimin e Komisionit Evropian që nga 1 Janari dhe do ta drejtojë atë deri në mesin e verës së ardhshme, periudhë gjatë së cilës pritet të ketë dhe zhvillime të tjera deçizive përsa i përket çështjes së Kosovës.