LSI: Jo pakt të njëanshëm me PD për reformat
Për realizimin e reformave LSI shprehet se duhet konsensus gjithëpërfshirës
TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim hedh poshtë çdo mundësi për të bashkëpunuar në mënyrë të njëanshme me mazhorancën, për realizimin dhe miratimin në Kuvend të reformës në drejtësi dhe atë zgjedhore. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të kësaj force, Edmond Haxhinasto, duke konfirmuar vullnetin e LSI-së për të kontribuar në realizimin e këtyre reformave, ka theksuar nevojën për të arritur një konsensus të madh midis gjithë faktorit politik. "Mjeti për të realizuar reformat, nuk është as diversioni ndaj opozitës, as përçarja e saj dhe as logjika e numrave apo kartonëve të imponuar në Kuvend. Reformat e mëdha, kërkojnë konsensuse të mëdha. Diskutimi për reformat zgjedhore dhe në drejtësi duhet të futet në Parlament dhe të realizohet në mënyrë konsensuale, institucionale dhe ligjore, e jo me demagogji mediatike. LSI konfirmon gatishmërinë e saj për të kontribuar në realizimin në mënyrë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse të këtyre reformave madhore për integrimin e vendit",- u shpreh Haxhinasto. Në këtë mënyrë, LSI i ka prerë rrugë të gjitha përpjekjeve të mazhorancës për ta konsideruar atë si të vetmen forcë opozitare, me anë të së cilës mund të bënte të mundur arritjen e numrave të duhur në Kuvend, për miratimin e këtyre dy reformave. Sipas kësaj force, qeveria duhet të heqë dorë nga një politikë e tillë dhe duhet të krijojë kushtet e nevojshme për realizimin e këtij konsensusi, si e vetmja rrugë për të ecur drejt anëtarësimit në NATO në Samitin e Bukureshtit, që do të mbahet në pranverën e ardhshme. "Mosmarrja e ftesës për në NATO në rast dështimi në realizimin e këtyre reformave, do të ketë një përgjegjës, dhe kjo është Qeveria e Shqipërisë. Ndonëse është kritikuar rëndë për mungesën e konsensusit politik në Raportin e Progresit të BE, kjo mazhorancë nuk ka bërë asnjë përpjekje për krijimin e një klime konsensuale politike",- u shpreh Haxhinasto.