E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama letër të hapur: Vendimi i Kolegjit, në rrezik e ardhmja e vendit

TIRANË- Kreu i opozitës Edi Rama nëpërmjet një letre të hapur i’u drejtua publikut për situatën e krijuar në vend pas zgjedhjeve të 8 majit si dhe vendimt të Kolegjit Zgjedhor, i cili sipas tij ka rrëzuar ankimimin e PS padrejtësisht.

Kreu i opozitës Edi Rama deklaroi se vendimi i Kolegjit Zgjedhor do të përcaktojë fatin e Shqipërisë, e cila ndodhet ndërmjet dy rrugëve atë të integrimit apo të humbjes së statusit dhe ekuilibrave politik në vend.
 
“Nga dhënia ose jo e drejtësisë për këtë çështje varet fati i punëve të Shqipërisë e të shqiptarëve për kohë të tëra në vijim. S’ka dyshim se një tjetër vulë e gabuar e Kolegjit Zgjedhor, do ta fuste Shqipërinë në një rreth kritik dhe integrimin e saj europian. Ndërkohë që, nga ana tjetër, jeta shqiptare do të bëhej më e vështirë, në të gjitha aspektet. Politika s’do të mund të dilte nga konfliktualiteti dramatik i dy viteve të fundit”,- deklaroi në letrën e tij të hapur kreu i opozitës.

Kreu i Partisë Sociliste risolli në vëmendje se Kolegji Zgjedhor sipas tij në vitin 2009 konsumoi të njëjtën padrejtësi ndaj opozitës, e cila kërkoi hapjen e kutive nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

“Në vitin 2009 Kolegji Zgjedhor bëri një padrejtësi të hapur, në gjykimin e ankesës së opozitës mbi refuzimin nga ana e të njëjtës KQZ për hapjen e kutive të votimit me kërkesën e dy anëtarëve. Këtë të drejtë, të sanksionuar në Kodin Zgjedhor, gjykatësit e Kolegjit e shkelën hapur dhe i hapën rrugën një krize dy-vjeçare politike e institucionale”,- solli në vëmendje Rama.

Kreu i opozitës thekson në letrën e tij se situata e 2009 po përsëritet edhe sot, pas dy vjetësh . Sipas Ramës KQZ ka shkelur hapur ligjin duke u denoncuar edhe nga ndërkombëtarët për këtë fakt.

“Shkelja e ligjit prej KQZ-së për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në kryeqytet, është denoncuar jo më vetëm nga opozita, por edhe nga të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë, sipas të cilëve cënimi i procesit zgjedhor përmes ndryshimit të rregullave të lojës në fund të lojës është i papranueshëm”,- shprehet Rama.

Rama vendimin e dhënë nga Kolegji Zgjedhor dhe mungesën e arsyetimit nga ana e këtij institucioni e argumenton me frikën që ndjejnë sipas tij gjykatësit nga pushteti.

“Kanë zgjedhur t’i friken pushtetit, ndërkohë që duhet t’i friken vetëm padrejtësisë. Ato gjurmë janë aty, ulëritëse, jo vetëm në kujtesën e miliona njerëzve që e panë barbarinë në televizor, as thjesht në raporte a deklarata opozitarësh, ekspertësh, arbitrash e partnerësh, por edhe në letrat, procesverbalet, tabelat e rezultateve që prodhoi futja e duarve në proces dhe në kuti të përzgjedhura enkas për të përmbysur në tavolinë fitoren e opozitës në Tiranë”,- denoncon kreu i PS Edi Rama në letrën e tij.
(e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Letra e plotë e kreut të PS Edi Rama

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›