E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mban larg qeverise figurat politike te PS

Mund të quhet edhe qeveri fillestarësh. Vetë Rama e pranoi se ministrat e Partisë Socialiste janë të rinj, ndërsa në CV-në e tyre dallon mungesa e eksperiencës në pozicione të larta drejtuese te Shtetit.
Mund të bëjë pjesë te perjashtimet Shkëlqim Cani që pritet të drejtojë Financat e vendit. Eshte diplomuar për ekonomi dhe ne vitin 1991 ka qenë zv/kryeministër I Qeverisë Nano 1, ndërsa në 1997 mori drejtimin e Bankës së Shqipërisë.
Saimir Tahiri që do të drejtojë Ministrinë e Brendshme ka lindur më 1979, ka studiuar për jurisprudencë në Itali dhe pas kthimit në Shqipëri është marrë me disa organizata jo fitimprurëse. Në vitin 2009 Rama e con në Kuvend ku merr mandatin e deputetit me Partinë Socialiste.
Ministrinë e Mbrojtjes do ta drejtojë një financiere si Mimi Kodheli. Datëlindja 1964, Kodheli ka punuar në disa banka të ndryshme, ka qenë për një vit prefekte e qarkut Tiranë ndërsa për 3 vjet ka mbajtur postin e n/kryetares së Bashkisë së kryeqytetit kur kjo drejtohej nga Rama.
Ditmir Bushati që do të jetë në krye të diplomacisë shqiptare vjen nga fusha e Drejtësisë. I lindur më 1977, Bushati është specializuar në të Drejtën Europiane në Athinë. Anëtar I Këshillit Bashkiak të Tiranës në vitet 2007-2009, jep më pas dorëheqjen kur Rama e con në Parlament, ku drejton komisionin e Integrimit.
Arben Ahmetaj është diplomuar për frengjisht në Universitetin e Tiranës, por ka kryer disa specializime dhe mastera për ekonomi në SHBA. Datëlindja 1969, Ahmetaj ka drejtuar Tatimet në Qeverinë Nano 1 ndërsa në vitet 2003-2005 ka qenë zv/ministër I Energjitikës dhe më pas I Integrimit Europian.
Juristi Damian Gjiknuri do të drejtojë Ministrinë e Energjitikës dhe Industrisë, ku nuk dihet sa do t’I shërbejnë specializimet në politika publike apo cështje të sigurisë kombëtare, që ka kryer jashtë vendit. Në administratat e mëparshme të socialistëve ka mbajtur poste teknike.
Eglantina Gjermeni është diplomuar për Histori dhe më pas ka mbrojtur doktoraturën për Punë Sociale. Nga shtatori do të drejtojë Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, ndërkohë që pas një angazhimi të gjatë në radhët e shoqërisë civile u bë deputete në 2009.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, është diplomuar për Informatikë. Ka një master për ekonomi dhe është specializuar për statistikë. Më parë ka drejtuar Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Mandatin e deputetit që mori më 2009 ia hoqi me pas Gjykata Kushtetuese.
Lindita Nikolla është diplomuar në Matematikë dhe ka përfunduar master në administrim public. Ministrja e ardhshme e Arsimit dhe Sportit ka qenë mësuese dhe drejtoreshë në shkollat e mesme të Tiranës dhe për dy mandate kryetare e njësisë bashkiake nr. 1 të kryeqytetit.
Ejron Veliaj që do të drejtojë Cëshjet Sociale është diplomuar jashtë shtetit për shkenca politike. Datëlindja 1979, ka punuar në Afrikë dhe Kosovë para se të kthehej në Shqipëri ku themeloi organizatën Mjaft në vitin 2003, të cilën e drejtoi deri më 2007.
Ministrja e ardhshme e Kulturës, Mirela Kumbaro, njihet si përkthyese, pedagoge dhe publiciste. Vjen nga shoqëria civile dhe angazhohet për herë të parë në jetën politike.
Juristit Ilirjan Celibashi i janë besuar marrëdhëniet me Parlamentin. Ka qene ish-zv/ministër i Rendit dhe ish-kryetar I Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ministrja e Inovacionit Milena Harito është diplomuar për Informatikë në Tiranë. Pas disa specializimeve në Francë, ka marrë titullin Doktore e Shkencave në Teknologjinë e Informacionit.
Juristi Bledi Cuci I përkiste shoqërisë civile dhe iu afrua socialistëve falë angazhimit të tij për cështjet zgjedhore. Në qeverinë Rama do të mbajë postin e ministrit për marrëdhëniet me pushtetin vendor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›