Rama mbledh drejtuesit politikë të PS në qarqe

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbledhur mëngjesin e kësaj të enjteje në selinë e PS drejtuesit politikë të qarqeve.
Vota e diasporës ka qenë në fokus të diskutimeve të mbledhjes. Kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar angazhimin e të gjithë aktorëve të PS për regjistrimin e emigrantëve në zgjedhje. Gjithashtu është diskutuar dhe angazhimi dhe organizimi i punës në terren nga drejtuesit e qarqeve.
Të hënën, Rama mblodhi kryesinë e PS. Mbledhja e zhvilluar në selinë rozë zgjati gati dy orë.
Kjo mbledhje ishte e para për vitin e ri 2025, i cili është edhe vit zgjedhor, pasi më 11 maj mbahen zgjedhjet parlamentare.
Këtë vit për herë të parë do të votojnë dhe shqiptarët e diasporës, nga vendet ku jetojnë.
Në këtë kuadër më 11 janar nis procesi i regjistrimit të emigrantëve që duan të marrin pjesë në votime.
Në mbledhjen e së hënës kryesocialisti Rama ka komunikuar edhe ndryshimin e drejtuesit politik të PS në qarkun Kukës. Në vend të Pandeli Majkos, që e mbante këtë pozicion deri më sot, drejtimi politik i qarkut të Kukësit tashmë i është besuar Eduard Shalsit, ndërsa Majko kthehet në Tiranë.
/a.f/r.e/