E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbledh të vegjlit për protesta

09/10/2009  Kreu socialist kërkon mbështetjen e të djathtëve për vendimmarrjet e PS-së

“Kjo rrugë do të vazhdojë të shtrihet në të tjera sheshe të Shqipërisë”

Hapja e kutive të votimit do të vijojë të lëshohet si thirrje dhe në qytete të tjera të vendit. Pas protestës të së shtunës në kryeqytet, do të jenë qarqet ku ngrihen dyshime për manipulime me votat ato të cilët do të mbledhin në sheshe mbështetësit e partive që vlerësojnë se janë cenuar nga vota e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ky vendim u mor dje në takimin e organizuar nga kreu i PS-së Edi Rama me drejtues të partive të majta, aleatë të kësaj partie, por dhe me drejtues të partive të djathta, të cilët së fundi kanë mbështetur iniciativën e socialistëve si për të bojkotuar Kuvendin, ashtu dhe për organizimin e protestave deri në plotësimin e kërkesës për hapjen e kutive të votimit. Gjithashtu në tryezën e mbajtur në një nga baret përballë Kryeministrisë morën pjesë dhe anëtarë të larguar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Takimi

Kryetari i PS-së Edi Rama thirri dje në një takim krerët e nëntë partive politike përfaqësues të dy kampeve politike për të bashkërenduar veprimet mes tyre në ditët në vijim sa u takon zhvillimeve politike pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Kështu, PS, PliDr, PDK, PDS, G-99, PBDNJ, LZHK, PSD si dhe krerët e disa shoqatave, mes tyre ajo e minatorëve dhe pensionistëve, kanë rënë dakord për hartimin e një platforme të partive politike opozitare për bashkëpunim për një demokraci funksionale në Shqipëri. Njëkohësisht burime pranë këtij takimi bënë me dije se drejtuesit politikë kanë dhënë mbështetjen e tyre për vendimet e marra nga kupola rozë sa u takon dy vendimeve: për bojkot dhe organizimin e protestave. Megjithatë, në protestën e parë drejtuesit e partive të djathta kanë vendosur që të mos jenë pjesë e saj. Por në manifestimet që pritet të zhvillohen në ditët në vijim në rrethe të tjera edhe këto parti do të jenë pjesë e tyre. Gjatë bisedës është rënë dakot që Durrësi, Shkodra, Berati të jenë qytetet e radhës ku do organizohen këto protesta. Madje, manifestimi në Durrës do të jetë në mbështetje të kërkesës së ardhur nga LZHK-ja, e cila kërkon hapjen e kutive, duke vlerësuar se procesi atje u manipulua. Të pranishmit në këtë tryezë kanë ndarë të njëjtin mendim edhe sa i takon kohëzgjatjes së këtyre protestave, duke theksuar se këto manifestime nuk do të ndërpriten deri në largimin e qeverisë “Berisha”.

Qëndrimi

“Kërkesa legjitime është transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. Jam i kënaqur që rruga jonë e moshyrjes në Parlament dhe rezistenca demokratike në shfaqjen e këtij refuzimi nuk është vetëm rruga e PS-së, por e shumicës së shqiptarëve”, - ky ishte qëndrimi i mbajtur nga kreu i PS-së Edi Rama pas përfundimit të takimit të zhvilluar në mesditën e djeshme me krerë të partive të majta e të djathta. Gjithashtu, duke u ndalur dhe në vendimin tjetër të partisë që ai drejton, pra për organizimin e protestave, Rama vuri në dukje se “jam po ashtu shumë i kënaqur që rruga jonë e moshyrjes në Parlament dhe e rezistencës demokratike në shfaqjen e këtij refuzimi përmes protestave nuk është vetëm rruga e PS-së, por është rruga e asaj shumice të madhe që sot përfaqësohej në tavolinën ku ne u takuam”. Sipas tij, kjo është një rrugë që nis të shtunën pasdite dhe që nuk mbaron, por vazhdon në të tjera sheshe të Shqipërisë dhe shtrihet në të gjitha rrugët e Shqipërisë. “Çdo pushtet i lindur jo nga vota e lirë, jo nga vullneti i lirë, jo nga aspiratat që lirisht shprehen përmes votës së popullit, është i destinuar të përfundoj keq”, - deklaroi Rama. Duke shkuar më tej, kreu socialist uroi që “ky pushtet, i cili sot qëndron më këmbë falë manipulimit, të mos zgjedhë arsyen e forcës, por të zgjedhë forcën e arsyes, të mos ndjekë verbërisht vijën që deri më sot ka bërë të ditur duke zhvlerësuar kërkesat tona legjitime, duke luajtur rolin e shurdhit përballë alarmit që kemi vënë, sepse ne duam një zgjidhje të arsyeshme, duam që rrugët tona të kryqëzohen në Parlament dhe jo gjetkë”.

Spartak Ngjela

“Qëllimi i takimit ishte që edhe ne të spektrit të djathtë t’u japim mbështetjen dy pikave esenciale të kohës: bojkotit dhe protestave. Mendimi ynë ishte që vetëm bojkoti dhe protestat janë mjeti efikas për të risjellë demokracinë dhe sistemin liberal në demokraci. Sot, në kushtet kur ka marrë fund gjithçka, kur shteti është uzurpuar, ky është i vetmi solucion, d.m.th. bojkot dhe protesta, protesta të forta, madje. Nuk ka një marrëveshje midis të majtëve dhe të djathtëve në raport me programet, por ka një marrëveshje për rikthimin institucional të demokracisë liberale në Shqipëri. Ne nuk mund të pranojmë uzurpimin e shtetit, të gjithë jemi goditur nga dhunimi i votave. Të rikthejmë sistemin liberal demokratik në Shqipëri.”

Vangjel Dule

“Është një shqetësim politik, është një shqetësim shoqëror, i cili shpresojmë që të na çojë në ato lëvizjet e duhura që do të krijojnë premisat për daljen nga impasi politik në të cilin ndodhet vendi. Nuk është koha për veshë të shurdhër, është koha kur kërkohen kompromise të guximshme, historike, të cilat do kenë në fokusin e tyre interesat strategjike të vendit, jo interesat mikropartiake të çastit. PBDNJ-ja që në fillim ka shprehur shqetësime shumë jetike në lidhje me mënyrën e zhvillimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit dhe natyrisht që është pjesë e këtij shqetësimi”, - u shpreh kreu i PBDNJ-së pas përfundimit të takimit.

Ndre Legisi

“Shkëputja jonë nga LSI-ja ka ndodhur që me refuzimin e kërkesës së një grupi anëtarësh të kryesisë së LSI-së se, nëse Meta do të bashkëpunonte me Berishën, ne nuk do të ndiheshim më anëtar të LSI-së e për pasojë mbeteshim socialist. Si të tillë jemi përfaqësuar edhe në këtë takim. Duke ruajtur atë linjë që kemi pasur edhe në vitin 2005, gjë e cila nuk u bë, pasi të dyja forcat politike, PD-ja e PS-ja, në atë kohë refuzuan të hapin kutitë e votimit, ku ishte fshehur krimi dhe vjedhja e votave të LSI-së në vitin 2005. Ne po bëjmë marrëveshje për të ndryshuar gjithçka që është e gabuar në këtë vend, gjithçka që ka dëmtuar demokracinë në Shqipëri. Ka ardhur koha që t’i vijë fundi edhe vjedhjes së votave të shqiptarëve.”

Rama me krerët vendorë të PS-së

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në një takim me kryetarët e bashkive socialiste ka hedhur akuza ndaj vendimit më të fundit që ka miratuar qeveria për taksat vendore, duke u shprehur se është shkelur hapur autonomia vendore dhe e vetmja zgjidhje sipas tij mbetet Gjykata Kushtetuese. “Shkel vijimisht Kushtetutën, shkel vijimisht kartën europiane të autonomisë vendore, shkel vijimisht të drejtat që burojnë nga ligji. Ne do të vazhdojmë të ndjekim rrugën që kemi ndjekur deri më sot, duke i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë këto masa flagrante antikushtetuese”, - tha Rama. Por krahas ankimimit në Gjykatën Kushtetuese kryebashkiaku Rama tha se do të ndërmerren hapa të tjerë nga qeverisja vendore për të mbrojtur autonominë nga vendimet e mazhorancës. Sipas tij, shumë shpejt do të nisin përgatitjet për protesta edhe nga autoritetet vendore.

Agolli: Bojkoti i PS-së jo i përhershëm

Patriarku socialist Dritëro Agolli e vlerësoi bojkotin e Partisë Socialist ndaj Kuvendit si jo të përhershëm. Kështu, gjatë një interviste televizive Agolli vuri në dukje se “bojkoti është një përpjekje e opozitës për të arritur qëllimin e saj, por nuk do të jetë i përhershëm. Megjithatë, veprimi i PS-së është i drejtë dhe demokratik”. Nga ana tjetër, shkrimtari i njohur nuk harroi të vinte në dukje faktin se ai vetë është themeluesi i PS-së dhe se është po ai që ka marrë ish-kryetarin socialist Fatos Nano në Partinë Socialiste. Sipas Agollit, “Nano ka përdorur fjalor të keq ndaj meje”. Ndërkohë Agolli dënoi ndalimin e librave shqiptarë për në panairin e Tetovës. Sipas tij, kjo është një ngjarje e pabesueshme në një kohë që edhe Maqedonia, edhe Shqipëria duan të hyjnë në BE. “Hyrja në BE nënkupton edhe hyrjen e librit, ndalimi i librit është edhe ndalim në BE”, - nënvizoi agulli gjatë fjalës së tij sa i takon kësaj çështjeje. Në gjykimin e tij edhe qeveria shqiptare, edhe ajo maqedonase duhet të ngrenë zërin për këtë ndalim të librit.

PS thirrje për pjesëmarrje në protestë

Partia Socialiste ftoi dje përmes një deklarate për shtyp të gjithë qytetarët në protestë. Ishte deputeti i PS-së Blendi Klosi që gjatë kësaj thirrjeje bëri me dije se “protesta para Kryeministrisë në orën 5:00 pasdite bëhet për t’i thënë Sali Berishës se nuk mund të luajë me votën dhe liritë e shqiptarëve. Duam të numërojmë vota tona, një e drejtë legjitime kjo dhe pjesë e transparencës në çdo procesi zgjedhor demokratik”. Sipas tij, Sali Berisha ka frikë nga e vërteta e fshehur në kutitë e votimit, pasi vullneti i shqiptarëve është deformuar nga vetë e ai e shpura e tij. Gjithashtu në këtë deklaratë socialistët kishin zgjedhur të japin disa argumente se pse qytetarët duhet t’i bashkohen kësaj proteste. “Të shtunën në orën 5:00 pasdite para Kryeministrisë të gjithë shqiptarët që nuk duan të jetojnë nën një diktaturë të re dhe me një diktator të një stili të ri janë të ftuar të jenë pjesë e manifestimit tonë, të bashkojnë zërin me ne për të bërë të mundur transparencën zgjedhore, për të çliruar votën nga korrupsioni shtetëror”, - vlerësoi Klosi gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›