Rritja e çmimit të karburantit arrin rekordin e këtij viti
Ervin KOÇI
Kostoja e jetesës së shqiptarëve që ka njohur vetëm rritje në muajt e fundit të këtij viti, ka marrë këto ditë edhe një “grusht” tjetër “në stomak”. Gjatë ditëve të fundit çmimi i karburanteve ka shënuar një tjetër rritje duke arritur në nivelin maksimal të këtij viti si dhe në nivelet maksimale të viteve të fundit. Çmimi i naftës dhe ai i benzinës ka arritur majat duke u tregtuar me 155 dhe 156 lekë për litër. Shuma e rritur varion nga 5 deri në 10 lekë për litër në varësi të kompanive. Arsyet e rritjes se çmimit sipas Shoqatës së Hidrokarbureve janë dy: rritja e nivelit të çmimit në bursat ndërkombëtare, si dhe niveli i lartë i akcizës në vend. Por ndryshe nga vitet e tjera rritja këtë vit ndodh pikërisht në prag të festave të fundvitit, çka ka bërë që të gjitha çmimeve të shtrenjtuara t’i shtohet edhe kjo barrë jo e vogël. Ekspertët e ekonomisë e kanë cilësuar atë si abuzimin e radhës që bëjnë grosistët e hidrokarbureve, ku përveç abuzimit me cilësinë ata duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së shtetit në këto ditë për shkak të ngjarjeve në veri, kanë përfituar duke e rritur çmimin e hidrokarbureve.
Shtrenjtimi
Ajo që vihet re në çmimet e karburanteve në vendin tonë është reagimi i menjëhershëm që vjen nga bursat ndërkombëtare kur rritet çmimi. Ndërsa kur çmimi në bursë ulet, tregu shqiptar nuk e reflekton atë. Këtë e fakton edhe grafiku që tregon ecurinë e çmimit të naftës në bursë dhe tabela e çmimeve me të cilin karburanti është shitur në vendin tonë. Sipas të dhënave, nga janari deri në nëntor të këtij viti çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka shënuar si rritje po ashtu dhe ulje, nga 75 në 95 dollarë për fuçi. Por në tregun vendas gjatë kësaj periudhe nuk kemi parë të ketë ulje çmimi. Por ata që ndiejnë në mënyrë të menjëhershme pasojat janë konsumatorët, pasi iu duhet të shpenzojnë më shumë për të njëjtën sasi që konsumojnë. Rritje e çmimit të hidrokarbureve është vënë re pothuajse çdo fund viti në vendin tonë pasi kjo periudhë përkon edhe me ardhjen e emigrantëve në Shqipëri për të kaluar festat, gjë që çon në rritje të kërkesës së karburantit.
Rritja e radhës
Benzina pa plumb ka arritur në kuotën e 156 lekëve për litër në Tiranë, ndërkohë që në nivele rekord (150 lekë) ishte edhe litri i naftës eurodiesel. Në prill të këtij viti u shënua rritja e parë e çmimeve, me 136 lekë për dieselin e thjeshtë, ndërsa 1 litër benzinë pa plumb kapi 148 lekë. Në fund të po këtij muaji, benzina u ankorua në 150 lekë/litri, duke mbetur e pandryshuar gjatë gjithë muajve në vazhdim. Aktualisht, çmimi i naftës në tregjet botërore ka kaluar në mbi 88 dollarë për fuçi, ndërkohë që leku ka humbur terren ndaj dollarit në këmbimet valutore. Megjithatë, faktori ndërkombëtar duket se ka ndikuar pak në këtë rritje çmimi. Por, tregu i karburanteve ka shfaqur ndjeshmëri nga rritja e barrës fiskale për grosistët e naftës në vend. Sipas reformimit fiskal në sistem, karburantet kanë shkuar drejt unifikimit të akcizës, me 37 lekë litri, duke e kthyer në taksë fikse, kur më parë ishte e ndryshueshme.
Akciza
Në janar të vitit të kaluar, qeveria miratoi projektin e unifikimit të akcizës për tre llojet kryesore të karburantit (naftë D1, D2 dhe benzen), në 37 lekë për litër. Reagimi i grupeve të interesit ishte tepër i madh, pasi rritja e taksimit, që përkthehet në treg në rritje çmimi, vinte në një kohë krize. Tregtarët thonë se rritja e akcizës në 37 lekë/litër ndikoi në çmimin final për, të paktën, me 6 lekë/litri. Nga ky ndryshim, qeveria futi në arkën e saj rreth 2 miliardë lekë ekstra, ndërsa këtë vit parashikohen dyfish të ardhura. Por, një vendim tjetër ndryshoi nivelin e akcizave për disa produkte nafte, që konsumohen kryesisht si lëndë e parë në ndërtim, por edhe për furnizimin e mjeteve të transportit. Kështu, nafta virxhin u taksua, për herë të parë, me akcizën prej 70 lekësh litri, kur më parë niveli ishte zero. Ndërsa karburantet tip vajguri, që u futën në listën e produkteve që duhet të paguajnë akcizë, taksohen me 20 lekë për litër. Rritja në 37 lekë nga 5 lekë, që ishte më parë, preku edhe hidrokarburet aciklike dhe ciklike, ku hyjnë grupet etilen, benzen, toluol, ksilol.
Ecuria e çmimit të naftës gjatë vitit 2010
1. Janar 143 lekë/litër
2. Qershor 148 lekë/litër
3. Dhjetor 155 lekë/litër
Shkurt
Biznesi në mbështetje të Shkodrës, Meta: “Ndihma, shumë e domosdoshme”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë Ilir Meta, është takuar dje me komunitetin e biznesit për të folur rreth situatës, që shkaktuan përmbytjet në rrethin e Shkodrës. Pas një falënderimi që ju ka bërë të gjitha bizneseve që kanë ofruar ndihmën e tyre, për banorët që kanë pësuar dëme si pasoje e përmbytjeve, Meta u shpreh se qeveria është e gatshme dhe do të jetë transparente në vlerësimin e të gjitha dëmeve që kanë pësuar qytetarët. "Qeveria sikurse e theksova dhe me përfaqësuesit e biznesit dhe sipërmarrjes është e vendosur t’i përballojë të gjitha detyrimet që ajo ka ndaj qytetarëve shqiptarë të cilët janë të përmbytur nga uji dhe këtë do ta bëj me përgjegjësi dhe transparencë të plotë",- deklaroi zëvendëskryeministri, Ilir Meta. Ai nuk dha një shifër për dëmet në zonat e përmbytura, pasi sipas tij, gjithçka është në proces vlerësimi. Deputeti i qarkut të Shkodrës, Gjok Uldedaj, u shpreh se ndihma që do të ofrojnë bizneset, është mjaft e rëndësishme tashmë që niveli i ujit po bie. Kryetari i dhomës, së Tregtisë për Tiranën, Nikolin Jakaj, u shpreh se bizneset e kryeqytetit do të jenë të gatshme të ndihmojnë banorët, ndërkohë që ai nuk ka kursyer falënderimet, për ata që ju ndodhën pranë atyre në momente të vështira. Nga ana tjetër biznesmenët janë treguar të gatshëm, për të ndihmuar këta banorë sipas natyrës së biznesit, që ata zotërojnë por krahas atyre dhe me ndihma financiare. "Më lejoni të falënderoj dhe të përmend disa kompani që kanë kontribuar në zonat e përmbytura. Dua të falënderoj të gjithë sipërmarrësit që kanë kontribuar, si dhe të përsëris thirrjen për të qenë pjesë e solidaritetit dhe kontributit në mënyrë që vëllezërit dhe motrat tona në Shkodër të ndjejnë sa më pak pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore",- tha kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës, Jaka. Vetëm dy ditë më parë, biznesmenët nga e gjithë Shqipëria janë takuar me Zëvendëskryeministrin Meta në Shkodër, për të ofruar ndihmat e tyre.
KESH: Situata në kaskadën e Drinit është stabilizuar shkarkimet vijojnë
Paraqitet e stabilizuar situata në kaskadën e lumit Drin. Niveli i ujit dhe prurjet në liqene kanë pësuar rënie dhe bashkë me to janë reduktuar edhe shkarkimet. Nga të dhënat zyrtare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare rezulton se niveli i Fierzës ka arritur në 287.79 m ndërkohë që shkarkimet janë 450 m3/sekondë. Niveli në Koman vlerësohet në 170.06 m dhe shkarkohen 300m3/sekondë. Ndërkohë kuota e Vaut të Dejës është 73.70 m dhe shkarkimet janë 400 m3/sekondë. Paralelisht, KESH vazhdon të mbajë në nivele të larta prodhimin e energjisë elektrike. Hidrocentralet janë në punë me kapacitet të plotë dhe prej tyre prodhohen mbi 28 milionë kilovat/orë energji në ditë, nga të cilat 11 milionë eksportohen në bazë të kontratave të lidhura me kompanitë këtë muaj.
14 Dhjetor 2010