Topi: 8 Maji, dilni masivisht në votime
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje në mesditë një bisedë pune me kreun e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sequi. Në këtë takim të kreut të shtetit me ambasadorin u diskutua situata në vend në prag të zgjedhjeve vendore të 8 Majit si dhe të 9 majit, Ditës së Europës. Presidenti Topi, duke pasur parasysh aspiratën e popullit shqiptar për t’u bërë pjesë edhe zyrtarisht e familjes së madhe europiane, theksoi “domosdoshmërinë e zhvillimit dhe administrimit me sukses të zgjedhjeve vendore të lira, të ndershme dhe sipas standardeve më demokratike, në mënyrë që të shënojmë një hap tjetër cilësor përpara në rrugëtimin tonë integrues”. Nga ana e tij, kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, ambasadori Sequi, nënvizoi rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë zgjedhjet vendore të 8 Majit për ecurinë e ardhshme integruese europiane të vendit tonë. Kreu i shtetit, Bamir Topi, u bëri thirrje dje qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë masivisht në zgjedhje; që asnjë pasiguri momenti apo ndjenjë zhgënjimi, të mos i pengojë për t’i kushtuar vetes, familjes dhe vendit vetëm disa minuta votimi. “8 Maji meriton të jetë një ditë normaliteti demokratik, një ditë kur qytetarët i gëzohen lirisë dhe e përdorin atë për të mandatuar institucionet e qeverisjes vendore. 8 Maji meriton të jetë një ditë reflektimi e korrektimi për të gjitha gabimet e kaluara zgjedhore, një ditë që mbyll një kapitull tranzicioni dhe dëshmon se shoqëria shqiptare i ka pranuar dhe bërë të vetat vlerat e larta demokratike të familjes europiane”, theksoi Topi. Bashkë me ju, shtoi ai, kemi ndjekur shqetësimet që lidhen me retorikën e ashpër elektorale, problemet me debatet midis kandidatëve, mangësitë në programe apo incidente dhune, me ndikim direkt ose indirekt negativ në klimën zgjedhore. Në vlerësimin e Topit, dita e zgjedhjeve është ditë e qytetarëve dhe jo e militantëve partiakë, ndaj pres e inkurajoj partitë politike ta përdorin natyrën bipartiake të procesit administrues në dobi të interesave qytetare e publike, siç edhe inkurajoj median të informojë dhe ndikojë pozitivisht në transparencën e procesit. Pres, tha Topi, që dita e votimit të kalojë në atmosferë të qetë, që administrimi i votës të jetë korrekt dhe në kohë, që KQZ-ja, komisionet e niveleve të dyta dhe grupet e numërimit, të jenë zbatues të paanshëm të ligjit, që vëzhguesit vendorë e të huaj të ushtrojnë pa asnjë vështirësi funksionin e tyre. “Gjithashtu, pres dhe kërkoj nga institucionet e rendit dhe sigurisë, prokuroria, gjykatat dhe Kolegji Zgjedhor, - të jenë aktivë dhe tërësisht profesionalë në përmbushjen e misionit të tyre ligjor”, këmbënguli Topi. Sipas tij, detyra e Kolegjit Zgjedhor është të dëshmojë përgjegjshmëri maksimale, paanshmëri, korrektesë dhe shpejtësi për vlerësimin e çdo situate ligjore që do i paraqitet, duke ruajtur të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, të pa influencuara nga përpjekjet e politikës apo interesa të tjera.