KQZ vendim për të ndaluar listat paralele të zgjedhësve
Zgjedhjet e nesërme nuk do të jenë vetëm një përballje alternativash politike mes dy kampeve politike, por edhe një betejë mes KQZ dhe Partisë Socialiste, lidhur me skemat bllokuese dhe zhbllokuese të procesit të votimit. Pas ndërmarrjes së hapit për të bllokuar skemën e mundshme të largimit të komisionerëve me vulat e KQV-ve, KQZ është angazhuar dje në gjetjen e një formule tjetër, për të paralizuar një skenar të mundshëm të paralizimit të procesit të votimit nga socialistët, nëpërmjet përdorjes së listave paralele të zgjedhësve. Një ndërmarrje e tillë nga ana e KQZ-së është bërë e nevojshme pas paralajmërimeve publike të përfaqësuesve të lartë socialistë, se për shkak të problemeve me listat e zgjedhësve, komisionerët socialistë, zgjedhësit do t’i verifikojnë edhe me lista paralele me të cilat do t’i pajisë partia.
Mbledhja
Duke marrë shkas nga deklarata e një dite më parë, gjatë një emisioni televiziv, e deputetit socialist Paulin Sterkaj se, komisionerët e PS-së për të parandaluar manipulimet në zgjedhje do të përdorin lista zgjedhësish paralele, krahas atyre që do të ketë vet QV-ja, dy përfaqësuesit e mazhorancës në KQZ kanë ngritur shqetësimin se, nëpërmjet një hapi të tillë mund të cenohet procesi zgjedhor. I pari që ka reaguar ka qenë përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani, i cili i ka bërë thirrje KQZ-së që të ndërhyjë për të ndaluar veprime të tilla. “Çdolloj përdorimi i listave të tjera, i dokumenteve të tjera zgjedhore, që janë jashtë kontekstit të miratimit të KQZ dhe KZAZ-ve përkatëse, janë të paligjshme dhe ata që do t’i përdorin do marrin përgjegjësi ligjore, për mashtrim të pastër elektoral”, - tha Manjani. Shqetësimin e tij e ka mbështetur edhe përfaqësuesi demokrat, Niazi Kosovrasti, i cili ka theksuar se një gjë e tillë është mjaft e rrezikshme për procesin. “Deklarohen se mund të kenë edhe dokumentacion jashtëligjor, kjo është shumë e rrezikshme. Kjo mund të shkaktojë një konflikt dhe të shkatërrojë procesin zgjedhor”, - tha Kosovrasti. Ndërkohë që Ristani ka porositur sekretaren e përgjithshme, që të përgatisin një akt të posaçëm, me anë të të cilit të bëhet ndalimi në ambientet e KQV-ve i mjeteve apo materialeve që nuk i lejon Kodi Zgjedhor. Nga ana e tyre, përfaqësuesit socialistë e kanë konsideruar këtë ndërmarrje të KQZ-së të pabazuar në arsye të shëndosha, duke i konsideruar shqetësimet e shprehura nga përfaqësuesit e mazhorancës si ëndrra. “Ne nuk duhet të ecim mbi bazën e ëndrrave apo hedhjes së fallit në filxhan, për situata të cilat do ndodhin dhe që janë situata ekstra ligjore. Nëse dikush ka një informacion, që dikush shkel Kodin Zgjedhor, rrugët janë të përcaktuara edhe për komisionerët dhe përfaqësuesit e partive. Nuk është mirë që në këtë situatë të ngushtë parazgjedhore, të japim mesazhe për të tensionuar”, - tha përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj.
Akti
Duke zbatuar porosinë e kryetarit, administrata e KQZ-së ka përgatitur dje, në orët e pasdites, aktin përkatës me titull “Për ndalimin e përdorimit të disa mjeteve, që nuk parashikohen nga ligji në qendrat e votimit”. Akti i është shpërndarë dje anëtarëve dhe sot paradite pritet të shqyrtohet. Ai mbështetet në përcaktimet që bënë Kodi, në nenin 100 të tij, ku flet për materialet zgjedhore, të cilat u jepen KQV-ve për përdorim ditën e zgjedhjeve. Sipas pikës dy të projekt-aktit, përcaktohet se “gjatë procesit të votimit, anëtarët e QV-ve, në asnjë rast nuk mund të përdorin materiale si fletë votimi, procesverbale votimi, lista të zgjedhësve, etj, të cilat nuk janë sipas nenit 100 të Kodit Zgjedhor”. Gjithashtu, me anë të këtij akti, anëtarëve të KQV-ve iu bëhet e ditur se gjatë procesit të votimit, ata dhe vëzhguesit nuk lejohet të përdorin pajisje regjistruese audiovideo, apo mjete të tjera që të regjistrojnë zgjedhësit.