RADHA E TIJ!
TIRANË- Me sloganet “Basha për Tiranën”, flamujt e forcave kryesore aleate, ku spikasnin ato të PD-së e LSI-së, me një bombardim fishekzjarresh në qiell, koalicioni “Aleanca për Qytetarin” përmbylli dje në mbrëmje fushatën për zgjedhjet e kësaj të diele. Ashtu si në fillim të fushatës, Kryeministri dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, e mbylli fushatën bashkë me kandidatin e maxhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Në tubimin e djeshëm mori pjesë edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili ka qëndruar në shesh, pa u ngjitur në podium. Takimi i djeshëm i fushatës ishte ndryshe, me më shumë ndriçim e përcjellje mesazhesh, dhe më pak politikë. Pjesën më të madhe të këtij tubimi e ka zënë kandidati Lulzim Basha, pankartat për të cilin dominonin dukshëm në aktivitetin e mbrëmshëm. Në përmbyllje të fushatës së tij, Basha bëri një ftesë publike për qytetarin e Tiranës. ”Unë shpresoj se cilido prej jush, i ri apo i moshuar, burrë apo grua, demokrat, socialist, LSI apo PDIU, republikan, legalist, LZHK apo i pavarur, punëtor apo pensionist, i punësuar apo i papunë, do të bashkohet për të punuar për të ardhmen e qytetit; do të bashkohet për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që ju dëgjon, për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që merr përgjegjësitë që i takojnë, për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që do të punojë për vende të reja pune, për çmime më të ulëta, për më shumë parqe, për më pak ndotje dhe transport më të mirë...për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që vë qytetarët para politikës”, - tha mbrëmë Basha. Gjatë fjalës së tij, Basha është ndalur gjatë edhe te politika e ndjekur nga kryetari i Bashkisë, Edi Rama, duke ftuar qytetarët që të bëjnë zgjedhjen e duhur. Ndërsa Kryeministri Berisha ka qenë më i shkurtër në mesazhet e tij. Ai i ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për kandidatët e koalicionit të mazhorancës, duke shtuar se “rruga e vetmisë” nuk është e ardhmja për qytetarin.
Basha
Në rrëfimin e tij për rrugëtimin e gjatë me qytetarët, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, u shpreh se e filloi këtë fushatë me një pasion të veçantë. “Tirana ime, Tirana jonë, qëndronte përpara meje e zymtë dhe plot halle. Unë prej kohësh kam menduar se ne i kemi një borxh të madh këtij qyteti të ëmbël, të dashur dhe mikpritës. Të gjithë i kemi një detyrim të madh. Për të ndaluar thinjen e saj të parakohshme, për t’i rikthyer gëzimin që padrejtësisht ka humbur, për të zgjuar shpresën e saj, për të justifikuar me punë, shumë punë dhe djersë, të drejtën e saj për të shpresuar...”, tha Basha, duke shtuar se Tirana ka nevojë edhe për përkushtimin, punën dhe dashurinë e tij. “Dhe ju rrëfej se ndonjëherë, fshehurazi nga kamerat apo sytë e qytetarëve, kam fshirë edhe ndonjë lot të hidhur dhe të pabindur. Por Tirana nuk ka nevojë për lot. Ashtu si dhe nuk ka nevojë për britma dhe ulërima. As për politikë të madhe dhe as për grindje të mëdha, në emër të ca ambicieve personale, boshe dhe egoiste. Tirana ka nevojë për vëmendjen e bijve dhe bijave të saj, të shkolluar, të dashuruar me të, të motivuar, të zjarrtë, këmbëngulës, të hekurt dhe idealistë”, - tha Basha. Ai ftoi qytetarët që të votojnë përballë dy alternativave. “Shkova në çdo lagje të këtij qyteti, për t’u takuar me ju në shtëpitë tuaja, në vendet tuaja të punës, në rrugët tuaja, për të dëgjuar problemet dhe shqetësimet tuaja. E bëra këtë për një arsye të thjeshtë dhe për një arsye të fortë njëherësh: Askush nuk mund të drejtojë, nëse më parë nuk dëgjon. Dhe kjo është alternativa që ju keni përballë të dielën – alternativa mes një Kryetari Bashkie që ju dëgjon dhe një Kryetari Bashkie që çirret dhe dëgjon vetëm jehonën e zërit të tij, zërin e ambicies së tij politike të pafre”, - tha ai. Duke iu referuar sërish politikës së ndjekur nga Rama, Basha theksoi: “Klithja e slloganeve politike nuk hap asnjë vend të ri pune dhe kësisoj, as edhe ulet dot çmimi, qoftë edhe i një buke të vetme. Betejat politike nuk na e shkurtojnë kohën e kthimit në shtëpi, nuk e çajnë dot trafikun kaotik, pas një dite të lodhshme pune. As nuk ndërtojnë dot, qoftë edhe një park të vetëm ku të luajnë fëmijët tanë. As fjalët e ashpra, as aktet e dhunshme, nuk e bëjnë Tiranën një qytet modern europian. Një kryetar Bashkie që merret vetëm me beteja politike, nuk i zgjidh dot problemet e qytetit tonë”. Për këtë arsye, Basha tha mbrëmë se ka ardhur koha
për t’u ndarë nga grindjet dhe konfliktet politike. “Është koha për t’ju përveshur punës, për të vënë në rend të parë njerëzit dhe hallet e tyre. Punësimi është një problem që unë kam prekur në të gjitha bisedat e mia me qytetarët e Tiranës. Prandaj unë kam përgatitur një plan, për hapjen e vendeve të reja të punës, për të cilat kanë kaq shumë nevojë njerëzit tanë. Unë do të ul taksat për biznesin, që hap vende të reja pune. Si Kryetar Bashkie do të investoj në ndërtimin e infrastrukturës për të cilën ka shumë nevojë qyteti ynë. Do të përkushtoj të gjitha energjitë e mia, për të nxitur investime të reja dhe vende të reja pune, si dhe për ta shndërruar Tiranën në një atraksion turistik. Kryetari aktual i Bashkisë thotë se nuk është detyra e tij të krijojë vende pune për ju... Unë do të jem një Kryetar Bashkie ndryshe. Krijimi i vendeve të punës për ju, do të jetë detyra ime më e rëndësishme”, - tha Basha, duke prekur në fjalën e tij edhe shqetësimin për trafikun e rënduar. “Në lagjet, rrugët dhe rrugicat ku kam ecur, kam prekur ankimet tuaja për çmimet e artikujve të përditshëm, që nga buka e deri te karburanti. Kryetari aktual i Bashkisë ngre duart përpjetë, thotë se nuk ka ç’bën dhe fajëson qeverinë. Por unë mendoj se detyra e një Kryetari Bashkie, as nuk fillon dhe as nuk mbaron me fajësimin e të tjerëve. Unë mendoj se Kryetari i Bashkisë duhet të qëndrojë i pari, në krye të punëve dhe në krye të përgjegjësive”, tha ai. Basha shprehu bindjen se mund të investohet për artin, kulturën dhe sportin. Ai foli për përmirësim të përkujdesjes shëndetësore dhe sociale për të gjithë qytetarët, përfshirë grupet në nevojë dhe pensionistët. Dhe për të gjitha këto, sipas Bashës, duhet një qasje ndryshe. “Ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si punon Bashkia dhe duhet në radhë të parë të ndryshojmë mënyrën se si punon Kryetari i Bashkisë...”, tha ai. Basha theksoi se Tirana ka nevojë për zë dhe për zgjidhje. “Si Kryetar i Bashkisë unë do të siguroj që çdo projekt apo leje e re ndërtimi, të jetë e hapur për publikun. Ju dhe fqinjët tuaj do të keni mundësinë të shprehni mendimin tuaj dhe të përcaktoni drejtimin që do të marrë zhvillimi i lagjes tuaj. Zëri juaj do të dëgjohet edhe kur të zhvillojmë planin e ri urbanistik të Tiranës”, - tha ai. Basha tha se kryetari i opozitës nuk është armik, porse thjesht ai nuk duhet të jetë më kryetar i Bashkisë. “Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku, që ka prioritet luftën dhe betejat politike, dhe një Kryebashkiaku që do të luftojë krah jush në betejat e përditshme, me të cilat ju ndesheni sot të vetmuar në Tiranë. Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku, që çdo natë shkon të flejë duke ëndërruar të bëhet Kryeministër, dhe një Kryebashkiaku që çdo natë do të shkojë të flejë duke menduar se si ta bëjë Tiranën një qytet më të mirë dhe më të begatë për fëmijët tanë. Mes një Kryebashkiaku që ankohet për ato që nuk mund të bëjë, dhe një Kryebashkiaku që do të bëjë gjithçka të mundur, për ta përmirësuar qytetin tonë. Mes një Kryebashkiaku që thotë se nuk është detyra e tij të hapë vende të reja pune, dhe një Kryebashkiaku, detyra numër një e të cilit do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës. Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku që beson se ka vetëm një rrugë dhe se ai na qenka e vetmja rrugë, dhe të një Kryebashkiaku që beson se sëbashku ne mund të ndërtojmë dhe të përshkojmë rrugë më të mira. Mes një Kryebashkiaku që ua hedh fajin të tjerëve për problemet tona, dhe një Kryebashkiaku që merr përgjegjësitë për ta bërë qytetin tonë më të mirë. Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku që mendon se ju e keni marrë atë që meritoni, dhe një Kryebashkiaku që mendon sinqerisht se ju meritoni më shumë. Shumë më shumë”, - tha ai. Andaj, Basha ftoi qytetarët që më 8 maj të votojnë për projektin e tij. ”Sepse Tirana nuk duhet të ndalë kurrë së ëndërruari, njerëzit e saj nuk duhet të ndalin kurrë së besuari. Dhe unë, Lulzim Basha, jam i vendosur, jam gati që t’i përkushtoj gjithë kohën, energjinë dhe forcën time, sëbashku me ju, që t’i kthejmë mundësitë, shpresat dhe aspiratat tona në realitet”, - tha ai. Në mbyllje të fjalës, Basha është përshëndetur me qytetarët, i shoqëruar në podium nga vajza e tij Dafina dhe bashkëshortja Aurela.