Rama mbyllet në shpellë si Mao, përgatit formulën kineze të spastrimeve
Si ushtrim politik paraqitet gjetja e “Koçi Xoxes” që do kryqëzohet në kongres si armik i “revolucionit të ri kulturor” në PS, por si problem po shfaqet gjuetia që ish-drejtorët e bashkisë po i bëjnë ish-kryetarit. Ata ankohen se ai s’po i mban premtimet për karrierë politike, bile s’po i takon as kur shëtit natën pranë godinës së bashkisë, duke parë se si ish-strofulla e tij po kalon në pronësi të tiranasve
Edhe pas kthimit nga Sardenja dhe shenjës së jetës që dha në takimin me ministrin federal të Gjermanisë, Edi Rama s’po mundet t’i kthehet ritmit ditor të politikës e as të japë shenjat pozitive të një kursi të ri politik të opozitës. Ai është i mbyllur në “shpellën me qira” që ka marrë tek ish-Ekspozita dhe po përgatit formulën e spastrimeve të muajit shtator. Disa kasnecë të tij, qysh tani kanë njoftuar emrat e grupit armiqësor, ndërkohë që mbetet për t’u parë se cili nga Kastriot Islami apo Andis Harasani do të konsiderohet si “Koçi Xoxe” i partisë dhe do të pushkatohet politikisht në kongresin e nëntorit. Formula e Mao Ce Dunit për t’u izoluar në vetvete përpara ndërmarrjes së një fushate spastrimi është përdorur rëndom si praktikë në Partinë e Punës dhe disa demarshe qenë ndërmarrë edhe nga Fatos Nano vite më parë, por shpellat e tij ishin në versionin e buzuqeve greke dhe jo të apartamenteve prej betoni, siç tashmë i ka Edvini. Marrëdhënia e tij me betonin s’ka kurrfarë reference artistike dhe s’është ndonjëfarë alter-egoje e marrëdhënies së të atit biologjik me allçinë dhe bronzin, por është më shumë një rekuiem i bunkerit të babait shpirtëror, diktatorit Hoxha. Me sindromën e të rrethuarit nga armiqtë, Edi Rama nga bunkeri i tij me qira, s’po filozofon edhe aq fort si Mao Ce Duni në shpellën e tij... Izolimi nuk i ngjan as versionit të Platonit, por është veç një skemë e prodhimit të alibisë, pasi tashmë emrat e grupit armiqësor janë të shpallur e pritet veç të shqiptohet motivimi i ekzekutimit (politik). Edi Rama po kontakton që nga shpella me të besuarit e tij në të gjithë Shqipërinë, që ata të jenë të gatshëm kur të shpallet në shtator “revolucioni kulturor” brenda PS-së. I gjithë mendimi ndryshe duhet të asgjësohet dhe anëtarësia duhet të formalizohet me “qëndrimet vizionare e largpamëse” të kryetarit të partisë, i cili nga Sardenja është kthyer me idenë e sterilizimit të strukturave, për të larguar prej tyre elementët e dobët, ata që janë të gatshëm për marrëveshje me mazhorancën. Me një përzierje mes fashizmit, nazizmit e maoizmit, “revolucioni i ri kulturor” i PS-së, duket se për momentin s’ka në qendër të vëmendjes drejtorët e shkarkuar të bashkisë së Tiranës, të cilët, megjithë deklaratën e besnikërisë ndaj Edvinit, që lëshuan publikisht para disa ditësh, s’po arrijnë ta takojnë liderin tek shpella e paraparë, paçka se ndonjëri prej tyre e ka pikasur këto dy net (pa mundur t’i afrohet), teksa ai bënte një shëtitje nostalgjike natën, para bashkisë, për të parë se si po tjetërsohej ish-strofulla e tij dhe se si po bëhej pronë publike e të gjithë tiranasve... Ky ushtrim psikologjik mendohet se ndikon për ashpërsimin e “revolucionit kulturor”, prandaj edhe duhet pasur drojë nga fshesa politike që Edvini pritet të ndërmarrë në shtator. Ajo do të jetë një zhvillim anakronik për të majtën, por edhe një havale e fortë për demokracinë në Shqipëri.
...