E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Luan Rama: Kërkesa e PS për ndërhyrje në Kushtetutë, e motivuar nga interesat personale të Edi Ramës

07-08-2011 / Gazeta 55

Ndryshimet Kushtetuese të propozuara nga Partia Socialiste janë të motivuara nga interesat personale të Edi Ramës, pas disfatës së tij në zgjedhjet e 8 majit. Kështu e konsideron sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ofertën më të fundit të ardhur nga selia rozë, për ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit. Sipas tij, ish kreu i bashkisë së Tiranës duhet të merrte përgjegjësinë e humbjes dhe me anë të dorëheqjes të rikthente standardet demokratike në Partinë Socialiste. “Kur pa që, e gjithë ajo çfarë bëri i mbeti si një tullumbace në dorë, është rikthyer sërish te e njëjta temë. Për një politikan të përgjegjshëm, për një kryetar partie, më e pakta që mund të bënte, do të ishte të jepte dorëheqjen. Nuk mund të ndryshohet kushtetuta sipas orekseve personale dhe ambicieve personale për pushtet të Edi Ramës. Ajo çfarë duhet të bëjë PS, është të nxjerrë përgjegjësinë e gjithçkaje që përbën tashmë negativitetin e të gjithë qëndrimeve politike të Partisë Socialiste. Të rregullojë vetveten, të rikthejë standardet demokratike brenda hapësirave të veta dhe pastaj të ketë të drejtën që të kërkojë edhe partneritet dhe bashkëpunim për sfidat e mëdha. Në thelb, e gjitha kjo është një hipokrizi e pacak”- u shpreh Luan Rama. Ndaj nisur nga kjo qasje, zyrtari i LSI-së thotë se kryesocialisti i zënë nga paniku i të qenit në opozitë po kërkon të kapet fort pas pushtetit që mund t’i sjellë froni kryeministror, me ndryshimet e reja kushtetuese. Por ai i kujton kreut të PS-së se LSI është e gatshme të bashkëpunojë me selinë rozë, jo për t’u bërë pjesë e shkeljeve kushtetuese, por vetëm për prioritetet që qëndrojnë në krye të axhendës politike, siç është reforma zgjedhore, e kërkuar me forcë edhe nga partnerët ndërkombëtarë. “Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Partinë Socialiste që nesër, për reformën zgjedhore. Reforma zgjedhore është prioriteti i prioritete për axhendën e reformave të vendit, reforma zgjedhore është edhe çështja më sensitive, për të cilën edhe partnerët ndërkombëtarë janë të angazhuar dhe na kanë tërhequr vëmendjen për të bashkëpunuar në realizimin e saj. Nëse vërtetë PS do bashkëpunim, le të vijë dhe ta demonstrojë këtë bashkëpunim, si hap të parë për reformën zgjedhore. I dëshpëruar dhe në panikun e humbjes, ai është gati të prishë dhe të sakrifikojë gjithçka tjetër, vetëm e vetëm që ai vetë të jetë i lidhur pas një zyre pushteti, pasi, pas 13 vjetësh në pushtet një njeri që s’ka qenë asnjëherë në opozitë, nuk mund ta kuptojë që rregullat e lojës në demokraci do të thotë që, të jesh edhe në opozitë dhe të punosh në opozitë”- thotë Luan Rama.
Debati i ndryshimeve kushtetuese vjen në një kohë kur kryetari i Partisë Socialiste u shfaq i penduar për ndërhyrjet e bërë në ligjin themeltar të shtetit, në natën e 21 prillit 2008.       

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›