E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli me konsujt e nderit: Ndihmë për diasporën dhe Kosovën

Festave të nëntorit u janë bashkuar edhe 40 konsuj nderi të Shqipërisë në botë. Në fillim ata janë pritur nga zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, i cili ka vlerësuar rolin e konsujve, duke i cilësuar ata si pjesë përbërëse e trupit diplomatik shqiptar. “Përkujdesje më e madhe ndaj komunitetit dhe diasporës shqiptare në vendet ku jetoni, është një objektiv i yni madhor, integrimi i tyre në shoqëritë tuaja, është gjithashtu një objektiv tjetër madhor. Po kështu ne dëshirojmë që, përveçse integrimit të tyre, të mbajmë të ndezur edhe dashurinë e këtyre komuniteteve e kësaj diaspore për dheun mëmë. Një sfidë e madhe e jona është gjithashtu të ndihmojmë shtetin e ri të Kosovës të njihet ndërkombëtarisht si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit të Ballkan, prandaj jam i sigurt se ju do të angazhoheni dhe do të na ndihmoni edhe për këtë objektiv madhor”, - tha Haxhinasto. Më pas konsujt kanë zhvilluar një takim edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila në fjalën e saj vuri theksin te nevoja e promovimit të mëtejshëm të vendit tonë në botë. “Unë e shoh si shumë të veçantë takimin me konsujt e nderit në mbarë botën. Ashtu siç e kanë thënë burra të mëdhenj të globit, liria funksionon dhe në Shqipëri, dhe në Kosovë; çdo ditë tregon se ajo funksionon në mënyrën më të shkëlqyer. Por ne jemi po aq të vetëdijshëm se liria duhet shoqëruar me sensin e madh të përgjegjësisë. Natyrisht, çdo gjë që ndodh në vendin tim dhe me kombin tonë, kërkon dhe avokatët kudo në gjithë vendet e botës. Unë disa prej jush i njoh, i kam takuar në vende të ndryshme, unë e di për punën tuaj të mrekullueshme, për përkushtimin tuaj në promovimin e Shqipërisë, në avokaturën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, - tha Topalli në fjalën e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›