Kosovë, mblidhet grupi konsultativ për MSA
Thaçi: Ministrat të punojnë për plotësimin e kushteve
Është takimi i parë i ekipit që do të negociojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për Kosovën.
Këtu, nikoqirit i mbledhisë bëri të ditur se këto negociata do të fillojnë në vjeshtë të këtij viti dhe do të përfundojnë në pranverë të vitit të ardhshëm.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova është unike në të ardhmen e saj evropiane.
Shefi i qeverosë i ka përmendur dy prioritete kryesore të Kosovës, në kuadër të procesit te integrimit në Bashkimin Evropian për këtë periudhë.
“Procesi i parë ka të bëjë me negocimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe procesi i dytë është procesi i përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave që po ashtu është i një rëndësie të jashtëzakonshme për qytetarët tanë dhe të ardhmen evropiane të Kosovës. Nisja e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim-Asociimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian është një moment historik në kuadër të procesit integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit do të jetë marrëveshja e parë kontraktuale që ofron perspektivë të qartë drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian”.
Ndërsa, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, që sipas kryeministrit, qytetarët e Kosovës e vlerësojnë më së shumti, duhet punë e madhe nga të gjithë.
“Sidoqoftë, deri sa të sigurojmë liberalizimin e vizave, ne nuk mund të relaksohemi, por duhet të punojmë edhe më shumë dhe veprimet tona duhet të intensifikohen në maksimum. Posaçërisht, angazhim edhe më të shtuar duhet të tregojnë agjencitë për zbatimin e ligjit, si Policia e Kosovës, Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor, Doganat, Administrata Tatimore, Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe mekanizma të tjerë”.
Ndërsa, Vlora Çitaku, ministre e Integrimit Evropian dhe kryenegociatore për MSA-në, ka thënë se qëllimi i kësaj marrëveshje është ofrimi i kornizës politike dhe ligjore që do të rregulloj procesin e përafrimit dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Presim që negociatat për Stabilizim Asociim të fillojnë në vjeshtë të këtij viti dhe synojmë që negociatat të përmbyllen deri në pranverë të vitit të ardhshëm. Marrëveshja do të negociohet në disa raunde, duke filluar në pjesën e tregtisë që përben pjesën me substanciale të marrëveshjes së Stanbilizim Asocimit. Vlerësojmë se do të ketë 4 apo 5 takime në nivel të delegacioneve në nivel ministrash dhe do të ketë takime me shumë në nivel teknik”.
Më 27 shkurt qeveria ka themeluar grupin negociator, të cilin e kryeson Ministrja e Integrimeve, ndërsa, grupi përbëhet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ministri i Bujqësisë, Ministri i Financave, Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe ministri i drejtësisë. Ekipi do të ketë mandat të udhëheq negociatat në nivelin politik dhe të ofroj kornizë të qartë politike për negociatat politike.