Rama me bizneset në Lezhë: Synojmë të rrisim turizmin cilësor dhe “paqe fiskale” për bizneset

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me përfaqësues të bizneseve në Lezhë, ku prezantoi nisma të reja të qeverisë për lehtësimin e shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik të zonës, me theks të veçantë tek turizmi dhe politika fiskale.
Rama deklaroi se modeli i vjetër i turizmit që ishte trashëguar, tashmë po zëvendësohet nga një model i ri që fokusohet tek cilësia dhe vlera e shtuar, jo thjesht tek sasia e turistëve. Ai theksoi se qëllimi është të tërhiqen turistë që konsumojnë më shumë dhe të ndërtohen hapësira që i përgjigjen këtij profili.
“Pikërisht në këtë territor ku modeli i zhvillimit të turizmit ishte ai që trashëguam, një model realisht shumë i prapambetur dhe problematik, po i lë vendin një modeli tjetër që bazohet tek projektet cilësore. Këtu po punojnë disa arkitektë me prestigj të madh ndërkombëtarë do të sjellin një vlerë të lartë për Lezhën dhe ekonominë tonë. Gara jonë është për cilësinë, jo për sasinë. Nuk na duhet sasia, por na duhet të mbajmë këtë sasi por ta fuqizojmë nga pikëpamja e vlerës që na sjell me cilësinë. Na duhet të krijojmë hapësira për turistët që konsumojnë më shumë dhe në këtë bregdet janë mundësitë për t’i harmonizuar që të dyja. As që mund të imagjinohet që Lezhë siç është sot me shumë shërbime, të mund të ishte para disa viteve. Këtë bregdet do e kthejmë në një nga bregdetet më të frekuentuar por edhe me vlerë të shtuar të Mesdheut”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, zhvillimi i infrastrukturës është kyç për të përballuar rritjen e fluksit turistik. Në fokus ishte edhe promovimi i kuzhinës lokale, për të cilën Rama tha se është duke u hartuar një guidë kulinare që do të shërbejë si atraksion turistik më vete.
“Kemi bërë shumë investime, por nuk janë mjaftueshëm. Turizmi këtu ka marrë një hov të ri dhe është e qartë që këtë hov ta shoqërojmë me zhvillime në infrastrukturë të rrugëve lidhëse të bregdetit me rrugët ndërkombëtare. Fluksi i turistëve do të rritet edhe për cilësinë dhe namin që Lezha ka krijuar dhe po krijon për kuzhinën dhe kemi një plan për të bërë një guid të kuzhinës dhe duhet të ndërtojmë një program për të mbështetur këtë hapësirë dhe për ta bërë më të dukshëm dhe më tërheqëse për të gjithë njerëzit. Duhet të fuqizojmë infrastrukturën dhe për punë ditësh do të shpallet edhe fituesi i segmentit Milot-Balldren. Rritja e vlerës së pasurisë këtu do të jetë gjithmonë e më e madhe. Me hyrjen në BE vlera e pasurisë së patundshme dyfishohet menjëherë. Edhe qasja ndaj pronës ndryshon për shkak se ata që janë pjesë e BE bëhen më të interesuar të investojnë pasi investojnë brenda BE-së”, tha ai.
Ndërkohë, një tjetër element i rëndësishëm i fjalës së tij ishte plani për “paqen fiskale”, një marrëveshje mes qeverisë dhe biznesit që synon uljen e barrës administrative dhe ndërtimin e një marrëdhënieje më bashkëpunuese.
“Kem një plan për “paqen fiskale”, ku është një mekanizëm që nënkupton një marrëveshje mes qeverisë dhe biznesit për kontributin. Kjo d.m.th. se nëse biznesi dhe Tatimet bien dakord që për dy vitet e ardhshme unë si biznes do të të paguaj këtë që kam paguar vitin e kaluar plus rritjen ekonomike atëherë Tatimet marrin përsipër se ti si biznes të mos kesh asnjë lloj kontrolli dhe asnjë lloj marrëdhënie me burokracitë. Gjithashtu kjo i jep mundësi bizneseve për të deklaruar të ardhurat që nuk i kanë deklaruar më parë në një hark kohor për 5 vite. Të kthehen pas dhe t’i deklarojnë pa marrë asnjë lloj penaliteti dhe duke paguar vetëm 5 % mbi ato të ardhurat. Nëse për të ardhurat e zakonshëm tatim mbi fitimin është 15 % për këto të ardhura të padeklaruar është 5 %”, tha Rama.
Më pas kryeministri zhvilloi edhe një takim me gratë në Lezhë, ku tha se 11 maji është “takimi i dytë i shqiptarëve me historinë”. Ai bëri një krahasim për nga rëndësia me zgjedhjet e vitit 1991-1992, kur shqiptarët, sipas Ramës, vendosën që të përmbysnin një sistem politik që nuk e donin më. Kryeministri u shpreh se ende ka shumë rrugë përpara, por ka shumë rëndësi “që gratë dhe nënat shqiptare të kuptojnë se është themelore që në 11 maj Shqipëria t’i kapërcejë kufijtë që ndajnë njerëzit në një palë zgjedhje”.
“Zgjedhjet janë një mundësi për të vendosur midis disa alternativave për katër vitet e tjera, por ka zgjedhje të cilat nuk janë thjesht një vendim për katër vite por një takim me historinë. Dhe 11 maji është takimi i dytë me historinë e shqiptarëve. I pari ka qenë në 91’ dhe 92’, kur shqiptarët në shumicë dërrmuese shkuan votuan PD. Nuk ishin të gjithë me PD-në, një pjesë kishin shumë rezerva, aq e vërtetë është kjo sa votuan në mars të vitit 1992 Partinë Demokratike dhe pastaj në korrik- gusht kur u bënë zgjedhjet vendore shumica dërrmuese votoi kundër PD-së”, tha Rama.
/rtsh.al/