E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama me fjalimin e Nolit: Protesta deri në largimin e Qeverisë



BLEDAR HOTI

Protestat disaditore deri në rrëzimin e Qeverisë është opsioni i shpallur nga lideri i opozitës, Edi Rama dje në kongresin e PS-së. Kryesocialisti në fjalën e tij deklaroi se protesta do të vazhdojë dhe më 1 maj. "Ne jo vetëm do të protestojmë çdo ditë, jo vetëm do të mblidhemi më të shumtë se asnjëherë më parë në 30 prill në Tiranë për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të shkuara që të shpëtojmë zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm do ta kthejmë 1 majin në ditën e një beteje demokratike në rrugën kundër pushtetit të papunësisë e të varfërimit të përditshëm të shqiptarëve, por nuk do të ndalemi deri në largimin e Qeverisë, në rast se Qeveria nuk do të largojë publikisht duart nga kutitë ku mban mbyllur zgjedhjet dhe zgjidhjet për dem-okracinë, drejtësinë, ekonominë e këtij vendi", tha Rama. Kreu i PS-së e ka nisur diskutimin e tij duke perifrazuar fjalimin e mbajtur nga Fan Noli në vitin 1923 dhe atë të mbajtur nga Luigj Gurakuqi. Diskutimi i kreut të PS-së është përqendruar edhe në situatën aktuale ekonomike të Shqipërisë, ku sipas tij vendi ndodhet në një krizë të thellë. "Kriza e ekonomisë shqiptare nuk është pjesë e krizës financiare globale, por pjellë e politikës shkatërruese ekonomike të Qeverisë së pykave që siç thotë Noli i madh, shoqërohen vetëm me pyka e me dallkaukë dhe padyshim në radhë të parë, e kryeministrit pykë. I cili pasi e bëri rrush e kumbulla arkën e shtetit për të prerë shirita gënjeshtrash elektorale dhe pasi mori peng kutitë e zgjedhjeve të grabitura, po merr tani peng edhe të ardhmen e njerëzve duke u humbur përditë vende pune dhe duke e zhytur vendin në borxhe asfiksuese që i merr ai, po që i paguajnë ata", tha Rama. Kreu i PS-së i është përgjigjur gjithashtu dhe zërave që janë kundër zhvillimit të protestave brenda PS-së apo dhe në opinionin publik. "Ka cinikë që thonë se gjërat vërtet janë keq po as rruga e protestës nuk është zgjidhje. Ka edhe dashamirës që thonë s'jemi kundër protestave po duam ta kemi të qartë kur, ku dhe si përfundon rruga e protestës. Cinikët janë ata që vetë jetojnë mirë dhe nuk e ndjejnë dhimbjen e atyre që jetojnë keq siç e ndjejmë ne, ndaj kur flasim u duket sikur bëjmë politikën e ditës e deklarimin e radhës. Të tillë do të ketë gjithmonë dhe kështu do të jenë gjithnjë më të shumtët edhe ndër komentatorët e ekraneve televizive a faqeve të gazetave. Ndërsa dashamirësve u them mos kërkoni t'jua themi ne kur e ku mbaron kjo betejë në rrugën e protestës, sepse po të dinim këtë atëherë kjo nuk do të qe betejë po fushë për t'u mbjellë me lule. Gjithashtu Rama nuk la pa i'u përgjigjur edhe atyre zërave që qarkullojnë se këto protesta janë kundër liberalizimit të vizave. "Atyre që thonë mos protestoni se do na lini pa viza ose mbyllni sytë përpara krimit elektoral dhe pranojeni pa kushte Parlamentin e Ruzhdies që Evropa të na heqë vizat, u them se jo vetëm heqja e vizave nuk ka pikë lidhje me këto sajesa të pushtetit fajtor për të justifikuar dështimin e turpshëm të radhës, por edhe se pa protestuar, pa çliruar zgjedhjet, pa ndalur rrënimin ekonomik, ne nuk do të integrohemi dot kurrë në Evropë sepse kurrë nuk do të kemi një shtet si në Evropë", theksoi Rama. Kryesocialisti e ka përfunduar diskutimin e tij me atë që e nisi pikërisht, duke perifrazuar thëniet e Fan Nolit. "Lejomëni të dashur delegatë e të ftuar, kënaqësinë që ta mbyll aty ku e nisa, tek fjala e thënë 87- vjet më parë nga Fan Noli, për ta thënë sot më qartë sesa ç'jam i zoti atë që duam ne të gjithë: Duam një Qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotë e më të ndershmit. Populli ynë vuajti mjaft prej kësaj guberne sa të mos gënjehet t´ia japë votën përsëri. Se janë dhe do të mbeten të vërteta fjalët e presidentit martir të Shteteve të Bashkuara, i cili ka thënë: "Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë, mund të gënjesh tërë popullin për ca kohë, po kurrë s´mund ta gënjesh tërë popullin për tërë kohën'", përfundoi Rama. Për mediat vizive kryesocialisti është shprehur kundër bashkëpunimit me PD-në për reformën zgjedhore, pa u kryer transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. "Ta harrojë maxhoranca reformën zgjedhore dhe Kodin Zgjedhor", theksoi Rama. Ndërsa për "Alsat" TV, kryesocialisti i pyetur për përfaqësuesit e LMN-së deklaroi se "rinovimi i strukturave socialiste do të përfshijë Asamblenë Kombëtare, kryesine dhe sekretariatin. Do të jetë vota në forume që do të përcaktojë praninë e njërit apo tjetrit prej figurave socialiste".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›