Rama me kandidatët për deputetë të Beratit: Duke votuar PS-në, voton për shumë të rinj

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama në sesionin e tretë të podkastit maratonë për prezantimin e prurjeve të reja të skuadrës garuese të PS për zgjedhjet e 11 majit, kishte të ftuar edhe tre nga kandidatët për deputetë të qarkut Berat.
Në këtë podcast janë të ftuar Enriketa Jaho nga lista e mbyllur, Matea Rexhepi dhe Julian Zyla nga lista e hapur në këtë qark.
Kryeministri Rama tha se “Enriketa Jaho vjen nga salla e operacionit, është mjeke anesteziste reanimatore, do të na duhet për të ndihmuar në reanimimin e palës tjetër pas zgjedhjeve se do të ketë nevojë për reanimacion”.
Pyetjes së kryeministrit Rama se përse u angazhua në këtë betejë Jaho iu përgjigj se “gjithë jetën time kam qenë e majtë dhe gjithmonë kam votuar për PS-së. Por kam parë profesionin tim, këtë kohë ishte një ofertë dhe thashë pse jo? U mendova pak pastaj thashë pse të mos bëj më shumë për vendlindjen time jo vetëm në fushën e mjekësisë”.
Më pas kryeministri Rama iu drejtua Matea Rexhepit, për të cilën u shpreh se “është e vogël kur e shikon, por jo e aq e vogël në ambicien dhe në punën e saj”.
Matea Rexhepi tha se zgjodhi Partinë Socialiste dhe jo bufin .
“Pas aplikimit tek “Akademia Politike” zgjodha të aplikoj edhe platforma “Deputeti që duam”. Pas përzgjedhjes nga “Deputeti që duam” m’u hap dera nga PS-ja”, tha Rexhepi.
Ndërsa kandidati Julian Zyla mes emocioneve tha se “çdo gjë që kam bërë, që nga mosha që merrja vendime, nga shkolla e mesme deri sot është e lidhur me dy elemente, njëra është politika dhe një është Shqipëria. Kam studiuar shkenca politike dhe kam qenë në SHBA dhe kam punuar në Zërin e Amerikës. Ajo që tundoi për Zërin e Amerikës ishte një punë që ishte aq larg dhe kaq afër me Shqipërinë. Dua të veçoj një ditë në janar të 2010, ku prezantova temën. Një moment tjetër i rëndësishëm, ishte kur kryetari i komisionit të vlerësimit në shkollë më tha ‘Ju po ja bëni këtë nder vendit tuaj’. Ishte babi në sallë, kam 3 vjet që se kam. Edhe ai donte shumë që unë të merresha me politikë dhe ishe shumë suportues”.
Kryeministri Rama tha se “besoj se babai të shikon nga lart dhe është krenar për ty”.
Kryeministri Rama theksoi se “dua të them diçka edhe për ata që e kanë si motiv, u ripërtëri partia dhe u lanë jashtë ata… sepse këtu është çfarë uji i dhe gomarit. E vërteta është shumë e thjeshtë. PS nuk është qëllimi i atyre që e kanë, por është mjeti dhe duhet të jetë mjeti që duan ta përdorin për qëllimin e përbashkët”.
“Nëse PS nuk hapet, nuk transformohet në vijimësi dhe nuk jeton me idenë që për të ndryshuar më shumë Shqipërinë, duhet të ndryshojmë vetveten, është e destinuar të kthehet në kënetë. Një kënetë më e këndshme se këneta e neveritshme që ti fole, por ujë i ndenjur. Ndërkohë që sot dhe këtë moment kur rrethanat tona të brendshme e rrethanat e Evropës ne kemi oportunitetin historik që ta fusim Shqipërinë në BE tani dhe është një mundësi që e kemi tani dhe nuk diskutohet që do të jetë aty përgjithmonë”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria ka humbur oportunitete historike në të kaluarën dhe nuk duhet ta humbë këtë oportunitet dhe për ta bërë këtë realitet na duhet partia më vjetër dhe më e re në të njëjtën kohë. Partia më e vjetër me eksperiencë dhe kemi njerëzit me eksperiencë dhe partia më e re në energji, dhe faktikisht, të gjithë ata që duan të votojnë të rinjtë nuk kanë asnjë zgjidhje më të mirë sepse duke votuar PS-në voton për shumë të rinj”.
“Ndërsa me idenë që po votoj një logo të re, voton një logo ku nëse do kesh fat do çosh një deputet në parlament dhe nuk do kesh fuqinë që të jep PS. Ti nuk ke ardhur për t’i zënë vendin dikujt që ka kontribuar më shumë”, tha Rama.
/k.s/ /a.g/