Rama me vendorët: Aksion për mbrojtjen e autonomisë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, sulmoi sërish qeverinë shqiptare lidhur me vendimin më të fundit për taksat vendore. Rama u shpreh se është shkelur hapur autonomia vendore dhe e vetmja zgjidhje sipas tij mbetet Gjykata Kushtetuese. "Ai vendim shkel vijimësisht Kushtetutën, shkel vijimësisht kartën europiane të autonomisë vendore, shkel vijimësisht të drejtat që burojnë nga ligji. Ne do të vazhdojmë të ndjekim rrugën që kemi ndjekur deri më sot, duke i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë këto masa flagrante antikushtetuese", theksoi Rama. Krahas ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, kryebashkiaku Rama tha se do të ndërmerren hapa të tjerë nga qeverisja vendore për të mbrojtur autonominë nga vendimet e mazhorancës. Ai tha se shumë shpejt do të nisin përgatitjet për protesta edhe nga autoritetet vendore. "Është koha për të konceptuar dhe përgatitur protestat edhe në nivelin e realizimeve vendore lidhur me autonominë vendore", u shpreh Rama. Vendimi i qeverisë është kundërshtuar ashpër nga opozita dhe të zgjedhurit e saj vendorë. Kreu i selisë rozë, disa ditë më parë zhvilloi një takim me krerët vendorë socialistë, të cilët u shprehën kundër vendimit të qeverisë, duke u solidarizuar në një aksion të përbashkët. Dy ditë më parë, këta të zgjedhur vendorë zhvilluan një takim informues edhe me ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, dhe atë të OSBE-së, Robert Bosch. Kryetarët e bashkive prezantuan dhe paraqitën para përfaqësuesve ndërkombëtarë të gjitha shqetësimet e tyre në adresë të qeverisë dhe mazhorancës. "Shprehim shqetësimet lidhur me shkeljet flagrante të vazhdueshme që qeveria dhe mazhoranca vazhdon të kryejë në dëm të autonomisë lokale, duke shkelur hapur Kushtetutën e Shqipërisë, Kartën e Autonomisë Lokale, si dhe ligjin për pushtetin lokal", u shprehën krerët e bashkive socialiste.