E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama merr mbështje nga parti e shoqata për protestën

Krerët e 9 partive politike të vogla, të majta e të djathta i kanë dhënë mbështetjen e tyre kreut të PS-së, Edi Rama për protestat e lajmëruara prej saj. Veç kësaj, PS , PLiDr , PDK, PDS, G99 si dhe krerët e disa shoqatave, mes tyre ajo e minatorëve dhe pensionistëve kanë rënë dakord për hartimin e një platforme të partive politike opozitare për bashkëpunim për një demokraci funksionale në Shqipëri.
Kryetari i PS-së, Rama tha se vendimi për mos'hyrjen në parlament nuk përfaqëson vetëm PS-në, por shumicën e shqiptarëve majtas dhe djathtas që iu është grabitur vota në 28 qershor.
Ai tha se në takimin me krerët e 9 partive dhe shoqatave u ra dakord për një qendrim të palëkundur ndaj parlamentit pa legjitimitet deri në plotësimin e kërkesave për transparencën e zgjedhjeve.
"Rruga jonë e mos'hyrjes në parlament dhe rezistencës demokratike ka marrë mbështetje dhe është rruga e shumicës së madhe". Sipas Ramës kjo rrugë që fillon të shtunën nuk mbaron, por vazhdon në shumë sheshe të Shqipërisë.
Sipas kreut të i PLiDr Ngjela bojkoti dhe protestat janë një vendim efikas për sistemin liberal demokratik në Shqipëri. Ai tha se i është kërkuar garanci grupit parlamentar të PS-së që të vijojë bojkotin dhe protesta. Ngjela theksoi se "Nuk ka marrëveshje mes të majtës e djathtë në efektet e programeve po për rikthimin e demokracise liberale në Shqipëri". Ai tha se do ketë protesta deri në rënien e qeverisë.
Kreu i PDK-së, Gjinushi foli për një bashkim mes të majtës dhe të djathtës në mbrojtje të votës së lirë. Ai foli për një bashkim për ruajtjen e demokracisë.
Ndre Legisi, anëtar i larguar nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se në protestë ai do përfaqësojë të gjithë shtetasit që votuan për LSI-në dhe që iu vodh vota.
Kreu i PDS-së, Milo tha se në takim u disktua për një bashkëpunim në mbështjetje të protestës së ditës së shtunë për të kërkuar hapjen e kutive të votimit.
Po ashtu, sipas tij, është rënë dakord për hartimin e një platforme të përbashkët të partive politike opozitare që do kenë të bëjnë më bashkëpunimin për të lejuar një demokraci funksionale në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›