E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti me të penduarit, gjykata e detyruar të pranojë kushtet

08/10/2009  Kuvendi diskuton mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë, LSI kundër zgjerimit të rrethit

Gjykata shqiptare dhe prokuroria do të jenë të detyruara me ligj të zbatojë kushtet e vendosura në marrëveshjen mes strukturave përkatëse të shtetit shqiptar dhe një bashkëpunëtori të drejtësisë, me qëllim goditjen e krimit, nga njëra anë, dhe mbrojtjen e bashkëpunimit, nga ana tjetër. Komisioni parlamentar i Ligjeve diskutoi në parim projektin “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, i cili këtë detaj të projektit e përcakton si një pikë të rregullores së Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Projekti, i cili u vlerësua nga të pranishmit, do të diskutohet nen për nen në fillim të javës së ardhshme, në prezencë edhe të përfaqësuesve të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve.

Propozimet

“Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të përpilohet një rregullore e brendshme e Drejtorisë, e cila të përmbajë edhe rregullat e hollësishme për ndjekjen e zbatimin e kushteve të marrëveshjes së mbrojtjes”, - thuhet në projekt. Për këtë pikë anëtari i komisionit Eduard Halimi propozoi sanksionimin me ligj të detyrimit për të reflektuar në vendimin e gjykatës ndaj bashkëpunëtorit edhe kushtet e marrëveshjes. “Mendoj se kushtet e marrëveshjes duhet të jenë të detyrueshme për gjykatën dhe prokurorinë dhe jo t’i lëmë në kushtet e një rregulloreje, siç e përcakton projekti. Po ashtu i bashkohem propozimit të ekspertëve të huaj, që mendojnë se një gjykatës nuk mund të jetë anëtar i komisionit për mbrojtjen e dëshmitarëve”, - tha Halimi në diskutim e tij në parim. Ai vlerësoi projektin si shumë të rëndësishëm në tërësi, ndërsa vërejtjet e tij ai i cilësoi teknike që do të gjejnë zbatim në formulimet e ligjit. Zgjerimi i rrethit të krimeve për të cilat lejohet mbrojtja e dëshmitarëve është risia kryesore e projektit, për të cilën anëtari, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, Nasip Naço pati kundërshtime. “Mendoj se rrethi zgjerohet më shumë se ç’duhet dhe ne pa dashje japim në publik imazhin se në Shqipëria rendi dhe siguria nuk janë në nivele të kënaqshme. Unë mendoj ta rishikojmë nenin për këtë çështje, pasi i bie që kushdo që shkon në gjykatë të kërkojë mbrojtje”, - tha ai.

Projekti

Ndryshimi i kompetencave të Komisionit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve, i cili me projektin e ri do të ketë të drejtën që të vendosë për pranimin ose jo të personave në programin e mbrojtjes, për ndërprerjen apo përfundimin e programit të mbrojtjes; ndryshmi i përbërjes së komisionit ku është parashikuar të jetë anëtar edhe drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve; dhe dhënia të drejtë drejtorisë për të nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare për rastet konkrete që kanë të bëjnë me ndryshim vendbanimi të personave të mbrojtur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë janë risitë e projektit të qeverisë. Pavarësisht zgjerimit të rrethit të përfituesve, të drejtën për të propozuar pranimin në programin e mbrojtjes e ka Prokurori i Përgjithshëm dhe vendimin Komisioni për Mbrojtjen e Dëshmitarëve.

Zgjerimi i rrethit të krimeve që do mbrohen

Futja në program, përfitimi i drejtësisë të justifikojë shpenzimet

“Ky ligj është i zbatueshëm në kuadër të procedimeve penale për krime të kryera me dashje, për të cilat ligji parashikon dënim me burgim jo më pak se 4 vjet. Rrezikshmëria e këtyre krimeve dhe e autorëve të tyre duhet të jetë e tillë që të justifikojë kryerjen shpenzimeve të nevojshme për mbrojtjen e një ose të disa personave”, - është fusha e zbatimit të këtij projekti. Propozuesit sqarojnë në relacionin shoqërues se është e nevojshme që ligji të lejojë më shumë hapësirë për interpretimin e prokurorit, i cili për arsye të ndryshme mund të çmojë nëse dëshmitarët në procedime penale për krim të kryera me dashje kanë nevojë të mbrohen, si dhe të përcaktohet përfitimi që i vjen drejtësisë penale prej tyre është e tillë që e justifikon kryerjen e shpenzimeve që shoqëron një program mbrojtjeje. Megjithatë, prokurori në çdo rast duhet të argumentojë rëndësinë e rastit dhe të dëshmitarit apo bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe arsyet e veçanta pse kërkohet mbrojtje.

Kushtet për programin e mbrojtjes

Ndryshimi i vendbanimit të dëshmitarit nga njëri shtet në tjetrin

Zbatimi i programit të mbrojtjes së dëshmitarëve ose bashkëpunëtorin e drejtësisë vendoset vetëm nëse ai ndodhet në gjendje rreziku, është i përshtatshëm për t’u përfshirë në program dhe me vullnetin e vet të lirë pranon dhe merr pjesë aktivisht në zbatimin e tij. Përshtatshmëria ka të bëjë me kushtet psikologjike, sociale dhe fizike të dëshmitarit ose të bashkëpunëtorit, të cilat duhet të jenë të tilla që të krijojnë besim se ai do të zbatojë rregullat e programit të mbrojtjes dhe se nuk do të vërë në rrezik jetën e shëndetin e vet dhe të personave të tjerë. Nëse ka mundësi, ndaj tij merret masa e ndryshimit të vendbanimit si dhe e programit në tërësi. Në varësi të rrethanave, bashkë me dëshmitarin ose bashkëpunëtorin e drejtësisë mund të përfshihen në programin e mbrojtjes edhe personat e lidhur me to. Në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, vendi ynë mund të lidhë marrëveshje për programe mbrojtjeje konkrete, të cilat mund të parashikojnë deri edhe ndryshimin e vendbanimit dhe qëndrimin e personave të mbrojtur në territoret përkatëse të palëve.

Presidenti pret ish-presidentin e DHAT-së

Topi dekoron kreun e Fondit Shqiptaro-Amerikan, Grifin

Presidenti i Republikës gjatë takimit që zhvilloi me Majkëll Granof, drejtuesin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA-të, rolin vendimtar dhe mbështetjen institucionale të tyre për zhvillimin e Shqipërisë. Duke shprehur njëkohësisht edhe vlerësimin për punën e Fondit Shqiptaro-Amerikan në nxitjen e projekteve dhe investimeve amerikane për zhvillimin e biznesit dhe rritjen ekonomike jo vetëm në vendin tonë, pas takimit Topi dekoroi me Medaljen e Mirënjohjes Xhefri T. Grifin, njëkohësisht ish-presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadori amerikan në Tiranë Xhon, L. Uidhers, ambasadorja franceze Mariz Davje, drejtorja e USAID-it Roberta Mahoni, deputetë, drejtues të bordit dhe anëtarë të Fondit Amerikan si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit. Medalja e artë iu dha Grifin në shenjë respekti dhe nderimi për punën e palodhur dhe kontributin e rëndësishëm në mbështetje të transformimeve progresive të ekonomisë shqiptare si një ekonomi tregu dhe ndihmën e dhënë njerëzve në nevojë.

Në fjalën e tij përshëndetëse Grifin u shpreh mirënjohës për të dekorim. “Siç e dini, puna që kemi bërë deri tani ka qenë shumë e madhe, po kemi përpara edhe një punë shumë më të madhe dhe sot ne kemi arritur që të themelojmë Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Presim me padurim, dhe të gjithë ne presim këtë gjë, që të vazhdojmë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe me ju”, - tha ai.

Anëtarët e KZAZ-së, shtyhet mbledhja

KQZ i kërkon Kuvendit shkresë zyrtare për mandatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për mbledhjen e radhës miratimin e projektvendimit për caktimin e partive që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit. Kjo shtyrje do të jetë deri në përcaktimin zyrtarisht nga Kuvendi të mandateve të partive parlamentare. Propozimi është bërë nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ Njazi Kosovrasti, i mbështetur edhe nga anëtarja e komisionit Dëshira Subashi. Ajo kërkoi të komunikohej me Parlamentin dhe konfirmimi të vinte zyrtarisht nga institucioni ligjvënës. “Të mos i reduktojmë praktikat zgjedhore, siç kemi operuar në të gjitha zgjedhjet e pjesshme. Besoj se një komunikim i shpejtë me Kuvendin nuk na sjell asnjë vonesë në këtë vendimmarrje”, - tha Subashi. Në përpilimin e projektvendimit ekspertët e KQZ-së për përcaktimin e shumicës dhe të pakicës parlamentare ishin mbështetur te kompozimi i Kuvendit pas zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara në vend. Sipas relacionit të vendimit, formula e përbërjes së KZAZ-ve në rastin e zgjedhjeve të pjesshme është e njëjtë me atë të përdorur për zgjedhjet e përgjithshme. Sipas Kodit Zgjedhor, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, dy anëtarë propozohen nga partia kryesore e opozitës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e opozitës parlamentare. Ndërsa anëtari i shtatë i KZAZ-ve do të përcaktohet me short, të hedhur në KQZ, ndërmjet partive kryesore. Në këtë mënyrë, të drejtën e përfaqësimit e kanë PD-ja dhe PS-ja me dy anëtarë dhe LSI-ja e PBDNJ-ja me një anëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›