Rama merrë sot mandatin për kryeministër

Presidenti Bujar Nishani pritet të mandatojë sot kreun e PS Edi Rama për krijimin e qeverisë së re.
Propozimi për emërimin e zotit Rama, si Kryeministër i Shqipërisë, iu dorëzua një ditë më parë kreut të shtetit nga kryetari i Partisë Socialiste, ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, në emër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, mbështetur në nenin 96, pika 1, të Kushtetutës së vendit.
Pas emërimit nga ana e presidentit, Rama dhe qeveria e ardhshme do të votohet në Kuvend.
Ndërkaq rreth orës 11:00 do të zhvillohet seanca parlamentare gjatë së cilës pritet paraqitja e raportit të komisionit të verifikimit të mandateve të çdo deputeti të zgjedhur fitues në zgjedhjet e 23 qershorit.
Pasi komisioni të paraqesë raportin deputetët do të kryejnë procedurën e betimit. Ndërkohë, pas proçedurës së betimit të deputetëve do të jetë procedura e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, që do të jetë kryetari i LSI, Ilir Meta. Ky i fundit do të zgjedhë nënkryetarët. /Indeksonline/