Rama mesazh Nishanit: Mos u bëj noter i palës humbëse
Kryeministri i ri kritikon edhe Prokurorin: Tani të luftojmë korrupsionin
Pas 17 ditësh nga zgjedhjet e 23 qershorit, Partia Socialiste zhvilloi dje mbledhjen e saj të parë me grupin e ri parlamentar. Në fjalën e tij të gjatë para deputetëve të PS-së, kryeministri i ardhshëm Edi Rama e vuri theksin tek sfidat që e presin qeverinë e re me nisjen e saj nga puna në shtator të këtij viti. Gjatë fjalës së tij Rama ka zbardhur edhe takimet e zhvilluara me krerët e disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend.
Presidenti
Duke folur për takimin mes tij dhe Presidentit Bujar Nishani, Rama tha se i kërkoi kreut të shtetit që të lexojë mirë votën e 1 milionë shqiptarëve duke mos u kthyer në një noter të një pale e cila ka humbur zgjedhjet. I kam thënë Presidentit të Republikës se fakti që vijmë nga dy kampe kundërshtare për mua sështë një problem, po një mundësi e madhe në rrugën e ndërtimit të një kulture të re evropiane të funksionimit të shtetit shqiptar. Dua të shpresoj që edhe ai do ta shohë kështu e do të punojë bashkë me Kryetarin e ri të Kuvendit dhe me mua, jo si noteri i një pale që ka humbur zgjedhjet, po si garanti kushtetues mbi të gjitha palët në përpjekjen tonë për të rilindur Shqipërinë duke ecur më shpejt. Ashtu siç dua të shpresoj se zoti President do ta lexojë me përpikmëri votën e 1 milionë shqiptarëve, që na dhanë 84 mandate, duke na hequr çdo justifikim të mundshëm edhe për sa ka të bëjë me reformën dhe performancën e pushtetit gjyqësor, tha Rama.
Kryeprokurori
Për sa i përket takimit me kryeprokurorin Adriatik Llalla, kryesocialisti Rama tha se shpreson që Prokuroria të shënojë një progres real në katër vitet e ardhshme. Ne nuk kemi votuar as për Presidentin e sotëm të Republikës dhe as për Prokurorin e Përgjithshëm, që ka sot Shqipëria. Por, ne nuk jemi votuar për ta rifutur qeverinë e vendit në llogoren e luftës politike ndaj një kryeprokurori, që deri më sot nuk ka bërë asgjë konkrete për të merituar ndonjë vlerësim pozitiv prej nesh. Ia kam bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se ne do të qeverisim në papajtueshmëri të plotë me korrupsionin e me kulturën e pandëshkueshmërisë. I kam nënvizuar vullnetin e plotë për të luftuar, krah për krah, me organin e prokurorisë dhe me atë personalisht, kundër krimit dhe korrupsionit në çdo nivel e të çdo kohe, sado të vjetër a të re. Dua të shpresoj se prokuroria nën drejtimin e tij do të shënojë progres real gjatë katër viteve të ardhshme në betejën me gangrenën e këtij vendi, krimin dhe korrupsionin, duke u bërë protagoniste e kësaj beteje jo duke mbetur një dëshmitare anemike në skenën e betejës, deklaroi Edi Rama.
Rama-Berishës: Ndalo shpenzimet e mëtejshme
Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së, kreu i saj, Edi Rama i ka kërkuar sërish kryeministrit në detyrë që të ndal marrjen e vendimeve të cilat po dëmtojnë ekonominë shqiptare. Ndaloni shpenzimet e mëtejshme të parave të popullit shqiptar, përmes vendimesh që nuk kanë asnjë legjitimitet moral e as politik. Jo vetëm kaq, po mos merrni më as vendime mbi pasurinë kombëtare të cilat rëndojnë në kurriz të vendit e të njerëzve. Njerëzit iu kanë larguar, prandaj shfrytëzojini këta dy muaj për të kaluar në opozitë si humbës normalë, jo për të qeverisur si fitues imagjinarë. Ne do të anulojmë çdo vendim për shpenzime parash, që shkojnë përtej kostove normale të rolit të një qeverie kujdestarie në një fazë tranzicioni të pushtetit. Po ashtu, do të zhbëjmë menjëherë edhe çdo vendim për tenderë, privatizime e koncesione të marrë pas 23 qershorit, sipas avazit të vjetër të gjithë këtyre viteve të kapim çtë kapim kudo, në çdo gjë dhe vazhdimisht. Mos e vazhdoni më tej këtë lojë të rrezikshme për stabilitetin ekonomik e financiar të vendit dhe mos i rrisni më tej kostot e papërgjegjshmërisë suaj qeverisëse mbi sipërmarrësit. Edhe sipërmarrësve jam i detyruar tu përsëris thirrjen që të mos përfshihen në asnjë marrëdhënie të re parash apo pronash me këtë qeveri fantazmë, për të nxjerrë përfitime të cilat, në fakt, jo vetëm nuk do ti nxjerrin, por do të dalin me humbje. Boll kanë humbur në aventurat ku i ka tërhequr qeveria e borxheve dhe e gropave në ekonomi, u shpreh Edi Rama.
Rama: Nuk ka ende asnjë emër ministri
Edi Rama siguroi se nuk ka akoma asnjë emër për sa i përket ministrave të ardhshëm ndërsa bëri të ditur se së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim do të ngrihet një grup për të bërë përzgjedhjen e burimeve njerëzore të cilët do të jenë pjesë e rilindjes së vendit. Për gjithë sa thashë, procesi i formimit të qeverisë nuk ka mbërritur tek emrat dhe ndarjet e ministrive. Sepse, diskutimi për emrat do të jetë i fundit pasi të hidhen piketat e parimeve e të kritereve të mirëqeverisjes në kuptimin e garancive, që duhet të ketë për publikun sistemi i formimit të skuadrës jo si qeveri, por në të gjitha nivelet. Kemi ngritur një grup të përbashkët PS-LSI për sintezën e programit si guri i themelit të qeverisjes. Po diskutojmë për procesin e mbledhjes dhe të trajtimit të kërkesave të njerëzve për të kontribuar në sektorin publik, në funksion të thithjes së burimeve më cilësore njerëzore duke filluar nga të gjitha pikat kyçe. Na duhet, po ashtu, të garantojmë paprekshmërinë e burimeve njerëzore cilësore që ekzistojnë në administratën aktuale. Është imperative të shmangim çdo formë tradicionale, primitive dhe vulgare fshese mbi administratën, që dëmton cilësinë e kapitalit njerëzor në dispozicion të shtetit. Grupi i punës, që do të ngremë pa humbur më kohë, do të kthehet javën që vjen në një grup të përbashkët pune për të sintetizuar njësoj si programin, edhe metodologjinë e trajtimit të burimeve njerëzore. Synimi është që hap pas hapi Shqipëria të ketë një Agjensi të posaçme Kombëtare të Burimeve Njerëzore, ku të jetë e plotë baza e të dhënave të kapitalit njerëzor të këtij vendi. Të gjithë atyre që kanë investuar në dije dhe kanë diçka për të dhënë qoftë për brenda dhe jashtë vendit. Një Agjensi Kombëtare e Burimeve Njerëzore që do ti shërbejë vijimësisht sektorit publik dhe sektorit privat, tha Rama. Kryesocialisti tha se ende nuk ka një numër për sa i përket ministrive të cilat do të ngrihen ndërsa shtoi se qeveria e re do të ketë më pak shpenzime se ajo aktuale.
Berisha: Rama vijon revanshin ndaj institucioneve të vendit
Kryeministri Sali Berisha reagoi ndaj deklaratave të bëra nga kryeatri i Partisë Socialiste, Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS. Në rrjetin social Facebbok, kryeministri Berisha shkruan se Rama ka nisur tashmë sulmin ndaj institucioneve të vendit. Të dashur miq, dyshja Rama- Kokëdhima vazhdojnë furishëm revanshin e pandalshëm dhe kërcënimet vulgare ndaj institucioneve të vendit. Dje ata, me Twitter, hapën tenderin për fshesën e administratës. Sot në fjalën e tij zoti Rama kërcënoi Presidentin me 84 votat e tij, pasi nuk arriti të konsolidojë projektin aventuror për shkarkimin antikushtetues të Presidentit dhe heqjen së paku të tij nga kryetar i KLD-së dhe vendosjen e këtij institucioni nën drejtimin e kryeministrit. Ai sulmoi dhe kërcënoi qeverinë sepse ai beson se ata kanë marrë një mandat për 4 vjet e tre muaj. Sulmoi dhe kërcënoi Prokurorinë sepse ëndërron rikthimin e tregtarëve të dosjeve dhe militantëve të PS që e kishin shndërruar atë në një repart fanatik të PS. I ngarkon detyra Guvernatorit duke harruar se Banka është e shtetit dhe jo e qeverisë. Programin ia ka besuar Beqës dhe Yllit, ndërsa për Koçon dhe veten kanë zgjedhur sulmin, revanshin ndaj institucioneve kushtetuese dhe çdo gjëje jo socialiste. Asgjë të papritur as dhe për tu çuditur nga çifti Rama- Kokëdhima. Shkodranët e