Islami kritikon Ramën, pendohet më pas dhe fshin komentin
Deputeti demokrat ironizonte në Facebook telefonatat e Ramës
Deputeti demokrat Kastriot Islami ka sulmuar dje kryeministrin e ri Edi Rama. Reagimi i Islamit ka ardhur pasi Rama deklaroi dje në mbledhjen e grupit se është votuar PS-ja, është votuar LSI-ja, por është votuar edhe vetë bashkimi. Llogaritë e tjera sa më shumë do fitonim ne vetëm apo sa më pak do fitonte LSI-ja vetëm, ose e kundërta apo të dyja bashkë, le ti bëjnë ata që janë pa punë me Kastriot Islamin në krye. Si reagim ndaj kësaj deklarate të Ramës, në një shënim në Facebook, Islami tregon për telefonatat e Ramës, duke përdorur ironi dhe duke e akuzuar kryeministrin e ardhshëm për mediokritet. Por më pas Islami e ka fshirë postimin nga faqja e tij e Facebook-ut. Por gazeta ka arritur ta ruajë materialin e postuar nga Islami. Mora vesh se Rama ishte kujdesur duke më përmendur emrin në mbledhjen e grupit kuvendor. Sa për llogaritë që di të bëj unë po i kujtoj vetëm telefonatat që më bënte çdo darke e çdo mëngjes, në sfondin e lehjeve të qenve të fshatit, nga shëtitjet në Pezë, telefonata një orëshe që fillonin e përfundonin, duke përsëritur pa fund: Aman o burr o burr me shpjego pak sistemin se nuk kuptoj asgjë, aman o burr o burrmë shpjego se më duket shumë i vështirë. Tre vjet rresht, mëngjes e darkë e kam dëgjuar këtë ankth të një mediokri në politikë, në çështjet kushtetuese, në ekonomi, në diplomaci, në çështjet rajonale, kudo, kudo, deri në aritmetikë të thjeshtë. Ai nuk e kupton se nuk ka fituar. Ai nuk e kupton se është peng e një rezultati që e dinë të gjithë se çfarë ka ndodhur.