Rama ndan mesazhin e dy të rinjve të kthyer nga emigracioni: Këtu kemi pasurinë dhe vendin tonë

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Veronika dhe Redoni janë dy të rinj që vendosën të kthehen nga emigrimi dhe të investojnë kursimet e tyre në ngritjen e një biznesi që ata e kanë quajtur “Baresha Farm”.
Kryeministri Edi Rama ka përcjellë sot në rrjetet sociale, historinë e dy të rinjve që lanë pas jetën e tyre të emigracionit, njëri në Gjermani dhe tjetri në Norvegji për t’u rikthyer me dëshirën e investimit në një biznes autentik dhe shqiptar.
Veronika shprehet se pas shumë viteve punë dhe jetë, larg familjes dhe vendit të tyre, ata bashkërisht vendosën të kthehen në Shqipëri.
“Të kthehesh nuk është e lehtë, madje disa miq na shihnin me habi, por ne ishim shumë të vendosur për t’u kthyer në vendin tonë”, thotë ajo.
Të rinjtë thonë se vitin e kaluar, vendosën që të investonin të gjitha kursimet e tyre në hapjen e “Baresha Farm”, me dëshirën për të sjellë një koncept të ri dhe organik, ku klientët mund të shohin se nga vjen ushqimi i tyre.
“Ndonjëherë kur më pyesin se a më mungon jeta që bënim në Gjermani, unë buzëqesh dhe u them që këtu kam pasurinë time, vendin tim”, thotë Veronika.
Ndërsa, Redoni e mbyll mesazhin e tij me një apel për të gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, që të kthehen dhe të investojnë në vendlindjen e tyre. “Shqipëria është një vend shumë i madh dhe shumë i bukur për t’u lënë pas dore. I ftoj të gjithë njerëzit të investojnë në vendin e tyre, aty ku flitet shqip, dhemb shqip dhe hahet shqip”, përfundon ai. /j.p/