Rama ndërmerr turin e radhës, rikthehet në bazë
04/06/2010 Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama starton turin e tij të radhës në qytete të ndryshme të vendit. Stacionet e para do të jenë Korça, Elbasani dhe Fieri. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se, pavarësisht vendimit që do të merret për hapjen e kutive të fletëve të votimit, kupola rozë ka projektuar një strategji, ku në qendër do të jenë takimet me bazën. Edhe pse ende nuk kanë përfunduar negociatat mes dy forcave kryesore në vend mbi hetimin parlamentar të procesit zgjedhor, deputetë dhe drejtues të kësaj partie do të nisin një tur takimesh me anëtarësinë dhe mbështetësit e PS-së, me qëllim që të argumentojnë jo vetëm faktin që aksioni politik i kampit opozitar rezultoi i suksesshëm, por njëkohësisht kjo forcë parlamentare do të luftojë fort për të bindur opinionin e gjerë publik për manipulimet që iu bënë zgjedhjeve të 28 qershorit nga mazhoranca qeverisëse. Përmes këtyre takimeve dhe problematikave që do të ngrihen në bisedat me anëtarësinë socialiste, kampi rozë synon që të parapërgatitë terrenin për fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të vitit që vjen.