E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia identifikon autorin e vjedhjes së kishave të Voskopojës

04/06/2010 I dyshuar dhe për vjedhje të tjera

Korçë- Mjaftuan vetëm 20 ditë që strukturat e specializuara të policisë të qarkut Korçë të binin në gjurmët e autorit të vjedhjes së kishës së Shën Mërisë në Voskopojë të Korçës dhe në të njëjtën kohë të ndalojnë autorin e kësaj ngjarjeje, i cili arriti ta realizonte vjedhjen gjatë orëve të vona të natës, në dt 18.05.2010. Burime pranë Drejtorisë së Policisë në qarkun e Korçës pohuan se gjithçka u bë e mundur në saj të një pune të mirëorganizuar nga ana e sektorit Kundër Krimeve të Rënda në D.P.Q. Korçë, i cili bëri të mundur zbulimin, identifikimin dhe ndalimin e autorit të vjedhjes me thyerje të kishës së “Shën Mërisë” në fshatin Voskopojë të rrethit Korçë. Sipas burimeve në fjalë, autori i kësaj ngjarjeje është shtetasi Xhentil Kupe, 43 vjeç, lindur në fshatin Lavdar të rrethit Korçë dhe banues në njësinë bashkiake nr. 10 në Tiranë. Madje burimet e cituara më sipër sqaruan gjithashtu se, Kupe kishte qenë person i shpallur në kërkim që nga data 18.05.2010, pra që nga dita që kishte kryer vjedhjen. Ndërkohë në ngarkim të tij Prokuroria e rrethit gjyqësor Korçë kishte nxjerrë urdhër ndalimin për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal. Por ndërkaq burimet policore vunë në dukje se, “gjithashtu ndaj këtij shtetasi dyshohet që të jetë edhe autori i disa vjedhjeve të tjera të kulteve fetare në rrethin e Korçës. Pak kohë më parë u vodh edhe kisha e Shën Thanasit në Voskopojë, çka dyshohet që Xhentil Kupe të jetë edhe autor i kësaj vjedhjeje. Aktualisht, sqaruan burimet, po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve, ndërsa pritet që materialet t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›