Rama në Abu Dhabi: Kemi propozuar një traktat ndërkombëtar për pandemitë

Kryeministri Edi Rama foli në Konferencën Politikave Ndërkombëtare në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai e nisi fjalimin e tij prej rreth 12 minutash duke bërë një prezantim paksa të pazakontë.
“Siç mund ta përfytyroni jam mes kryeministrave më të gjatë në botë dhe tundimi për të folur për çështjet globale është i madh. Por, vendi im është mes vendeve më të vogla në botë, ndaj nevoja për të folur për vendin time është shumë e madhe”, tha Rama.
Kryeministri tha se globalizimi është i pandalshëm dhe po ashtu edhe ndërlidhja mes vendeve të botës. Ai tha se ndërlidhja e bashkëpunimi bën që vendet të kenë edhe probleme të përbashkëta. Ai renditi ngrohjen globale, pandeminë dhe katastrofat natyrore.
Më pas, Rama u ndal te objektivi i Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Ai përsëriti edhe projektin e bërë para OKB-së për një traktat ndërkombëtar për t’u përballur bashkarisht me pandemitë.
“Do t’i sjellim Këshillit të Sigurimit këndvështrimin e një vendi të vogël me një politkë t ëjashtmë konstruktive dhe angazhim të qëndrueshëm ndaj veprimeve shumëpalëshe. Jemi përpjekur për të prezantuar një traktat për t’u përballur me pandemitë kaq t ëkushtueshme. Jemi përpjekur për t’u përballur me infodeminë, në kuadër të Covid 19 që mund të rrisin rrezikun e dhunës, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe barbarive të tjera”, tha Rama.