E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Berlin, takon Presidentin e Parlamentit Lammert

Kryetari Rama e njohu zotin Lammert me përpjekjen e opozitës shqiptare për të përshpejtuar procesin e integrimit dhe për të përmbushur të gjitha kërkesat e Komisionit Evropian.

Po ashtu, në përgjigje të interesit të Presidentit të Bundestagut gjerman, kreu i opozitës e njohu zotin Lammert edhe me zhvillimet e fundit që lidhen me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Shqipëri në një mënyrë konsensuale, si edhe me ecurinë e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare.

Presidenti i Bundestagut Gjerman Norbert Lammert pas takimit tha se Shqipëria duhet të jetë një kandidate serioze për Bashkimin Evropian. “Ne ndamë perceptimet tona sa i takon perspektivës evropiane të Shqipërisë. Unë gjithmonë e kam thënë që Shqipëria në këndvështrimin tim dhe në këndvështrimin e shumicës dërrmuese së parlamentit gjerman i përket Evropës, por ka nevojë që të implementojë kriteret e nevojshme në mënyrë që të mos jetë thjesht pjesë e Evropës, por që të bëhet një kandidate serioze për Bashkimin Evropian”, ka thënë Lammert.

Gjithashtu, Rama zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Partisë Social Demokrate gjermane, Sigmar Gabriel. Biseda mes Ramës dhe liderit të opozitës gjermane u përqendrua kryesisht në bashkëpunimin mes dy partive, si dhe në disa çështje specifike të programit qeverisës siç janë taksimi i ndershëm dhe masat antikrizë. Zoti Gabriel ofroi mbështetjen e plotë të socialdemokratëve gjermane për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ftoi Kryetarin e PS Rama për të marrë pjesë në përvjetorin e 150 të krijimit të SPD gjermane. /Start/

                                                                                             2012-05-23 16:33
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›