Rama në Elbasan në mbledhjen e Bordit Qytetar

Kryetari i Partisë Socialiste ka qenë i ftuar të marrë pjesë në një nga mbledhjet e Bordit Qytetar të qytetit të Elbasanit. Rama ka bashkëbiseduar me anëtarët e këtij bordi për problemet që kanë ata në komunitetet e tyre shoqërore. Kryetari Edi Rama i pranishëm tha se kjo është mënyra që politika të merret me problemet që ngre politika e qytetarëve. "Duhet që të kapërcehet kjo barrierë dhe që hapësirat e diskutimit politik, të jetë shumë më e gjerë se sa hapësira e ngushtë ku politika bëhet nga zanatçinjtë që quhen politikanë. Vetëm në këtë mënyrë mund të fillojë të ndryshojë procesi politik dhe politika e politikanëve të merret me çështjet që ngre politika e qytetarëve.Sa më shumë qytetarë ta bëjnë këtë së bashku, aq më shumë ndikojnë në axhendën që ka politika.", u shpreh Rama. Kreu i PS-së tha se "Përfshirja në politikë nuk është implikimi i drejtëpërdrejtë në një karrierë politike, por është implikimi i drejtëpërdrejtë në përpjekjen për të zgjidhur bashkë me të tjerët problemet e tua personale, që nuk i zgjidh dot vetëm.".