E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Kamëz: Berisha gënjen, nuk ju kam thënë shpellarë. Ku i keni legalizimet?

KAMËZ- Kreu i PS-së Edi Rama gjatë një këndi fjale paraditen e sotme më banorë të Kamzës, ka hedhur poshtë akuzat që kryeministri i vendit ka bërë në adresë të tij, se kryesocialisti Rama nuk i do të ardhurit në kryeqytet. 

Rama tha se Berisha po fut ‘thikën e ndasisë’ mes veriorëve dhe jugorëve, teksa u bëri thirrje banorëve të Kamzës, që të lënë mënjanë përkatësinë partiake, por të mendojnë për familjen e tyre.

“Saliu nuk e përdor votën tuaj për t’iu ndihmuar, por për të futur ‘thikën e ndasisë’, duke shpikur se unë kam thënë shpellarë, ai nuk iu do, të gjitha gënjeshtra. Mirë ju, por fëmijët tuaj çfarë faji kanë që jeni në këtë gjendje. Kjo është pyetja që kam unë për ata që janë prindër dhe votojnë qorrasi, për Saliun, dhe PD një parti familjare që punon ditë e natë për vete. Që mori përdore fëmijët tuaj dhe i nxori analfabete funksionalë, siç thotë Banka Botërore jo unë. Lërini historitë, jo jemi nga veriu, jo nga jugu të djathtë jo të majtë, bëhuni me familjen tuaj, bëhuni me interesin e komunitetit tuaj dhe atdheun tuaj”, u shpreh Rama. 

Kryesocialisti Rama sulmoi shefin e qeverisë se nuk mbajti premtimet që u bëri banorëve të Kamzës për legalizimet teksa
u kërkoi banorëve që të thonë të mirat që kanë përfituar nga qeveria.

“Ku i keni legalizimet? Letrat i keni se ua kanë dhënë Shabani tapitë sa herë vijnë fushatat. Ku e keni dokumentin se jeni pronarë të kapitalit që keni investuar. Nuk e keni sepse as nuk ka ndërmend tua japë njeri”, pyeti Rama banorët. “Nëse e doni ta mbani Saliun me antiplumb në qafë mbajeni. Nuk ju futini Saliu në NATO e bëri SHBA. Saliu e vonoi NATO. Çfarë bëri për ju një gjë konkrete”, shtoi Rama. 

Lideri i socialistëve vlerësoi se Partia Demokratike është pasuri kombëtare, e cila ka rënë në duart e personave të gabuar, ndërkohë nënvizoi se për Saliun banorët e Kamzës janë zgjedhës jo njerëz.

“Për Saliun ju nuk jeni njerëz, por vetëm zgjedhës. Dhe zgjedhës do thotë t'i rrejmë sa të mundemi t'i marrim votën dhe të shohim çfarë mund të bëjmë. Vota duhet të jetë e kthjellët. Nuk u them demokratëve bëhuni socialistë. PD është pasuri kombëtare që për momentin ka rënë në duart më të këqija, do të thonte Haveli, heroi më i madh që mundi komunistin. Sipas tij komunisti më i keq është komunisti antikomunist. Tesera e partisë është tjetër gjë, vota është tjetër gjë”, theksoi Rama. 

Sipas Ramës, pas skemave piramidale, liberalizmi i universiteteve ishte pabesia e dytë e madhe që qeveria u bëri shqiptarëve. Duke iu përgjigjur interesit të një studenteje, Rama shpalosi programin e PS-së, sipas së cilit do të bëjë akreditimin e tyre si dhe nuk do të mungojnë investimi në arsimin profesional

“Pas pebesisë së madhe që i bëri me piramidat, një ditë të bukur tha Sudja nga penxherja fajin e ka kompetenti, s’ka lek më. Pabesia tjetër është e universiteteve. Sot kemi numrin më të madh të juristeve për metër katror”, tha Rama. 

Teksa premtoi ulje të taksave, shërbim shëndetësor falas, hapjen e vendeve të reja të punës...Rama tha se më 23 qershor’ beteja’ nuk është mes PD dhe PS, por mes ‘rilindjes’ dhe ‘rrënimit’.

“Këtu nuk është beteje do fitojë Sala apo Rama. Por betejë nëse do fitojë rrënimi apo rilindja. Do fitosh ti si person me ekonominë familjare, apo si tifoz. Nuk luhet me top këtu, por me fatin. Pa punë pa bukë dhe rroftë Sala...ky nuk është tifozllik, kjo nuk është skuadër futbolli”, tha Rama.

“Shërbimi më i madh që mund ti bëni familjes dhe vendit, që në 23 qershor mos të shkoni vetëm dhe merrni me vete nje person që nuk ka votuar. Një që nuk ka votuar për herën e kaluar, jo 12 që e kanë ndarë mendjen të votojnë për 44’, përfundoi  Rama.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›